Një anije që kishte mbetur e bllokuar në Gjirin Persik për shkak të konfliktit mes Iranit dhe Izraelit është nisur tashmë drejt Japonisë, ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme e Japonisë.
Sipas autoriteteve japoneze, lëvizja e saj është koordinuar me Iranin për të siguruar kalimin e sigurt. Bëhet fjalë për një tanker nafte me flamur të Liberisë, në pronësi të kompanisë japoneze “Kyoei Tanker”.
Ministria ka njoftuar gjithashtu se të gjitha anijet me lidhje japoneze dhe me ekuipazh japonez tashmë janë evakuuar nga Gjiri Persik, shkruan Reuters.
Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, ka deklaruar në platformën X se pas nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi mes ShBA-së dhe Iranit, qeveria japoneze do të vazhdojë përpjekjet diplomatike për të siguruar lundrim të lirë dhe të sigurt në Ngushticën e Hormuzit.
Ajo shtoi se aktualisht 37 anije me lidhje japoneze po presin ende kalimin nëpër këtë ngushticë strategjike.