Aktakuzë ndaj ish-kryeshefit të “Pastrimit”, dyshohet se me punësime të paligjshme dëmtoi buxhetin rreth 115 mijë euro

Prishtinë | 19 Qer 2026 | 14:11 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj Ish-Kryeshefit të “Pastrimit”, Burim Kelmendi, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Kelmendi gjatë viteve 2020 dhe 2021 në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar, dhe në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave ‘’KRM Pastrimi’’, ka tejkaluar kompetencat e tij duke mos respektuar procedurat ligjore të punësimit.

Ai akuzohet se ka nënshkruar gjithsej 89 kontrata pune, përkatësisht 37 kontrata me afat të caktuar për kryerjen e punëve dhe detyrave specifike gjatë viteve 2020 dhe 2021, ndërkohë personat e punësuar kanë mbuluar pozita të rregullta pune.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime i është shkaktuar dëm buxhetit të ndërmarrjes në vlerë prej 114 mijë e 535 euro.

Aktakuza është ngritur edhe N.Rr, i cili akuzohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme shuma të ndryshme parash lidhur me punësimin e disa personave.

“Ndërkaq, i pandehuri N.Rr, gjatë muajit mars 2021 në cilësinë e Koordinatorit në Kompaninë Rajonale të Mbeturinave ‘’Pastrimi’’ në Prishtinë, në vazhdimësi me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, dyshohet se ka kërkuar dhe  ka marrë shumën prej 1.500 euro, nga të dëmtuarit J.D., M.D., A.B., G.B., dhe R,N., për punësimin e tyre duke premtuar se do të ushtronte ndikim të kundëligjshëm në vendimmarrjen e Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj kompanie”, thuhet në njoftim.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit dhe vlerësimit të provave, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit në fuqi.

Kelmendi ishte shkarkuar nga Përparim Rama më 8 korrik të vitit 2022

“Është vërtetuar se ka pasur devijime ekstreme nga parashikimet e Planit të Biznesit, ka pasur mbipunësim të paarsyeshëm dhe në kundërshtim me fuqinë ekonomike të kompanisë, si dhe është praktikuar edhe nepotizëm. Kjo është konstatuar edhe në gjetjet e Zyres së Auditorit të jashtëm, e cila ka gjetur shumë shkelje të rënda për kompaninë, si pasojë e marrjes së vendimeve përtej kompetencave të Kryeshefit Ekzekutiv, pa aprovim nga Bordi i Drejtorëve. Vendimi për shkarkimin nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv, z. Burim Kelmendit, hyn në fuqi sot, me datë 08.07.2022”, kishte shkruar Rama.

Të ngjashme