Oda e Infermierëve rrit tarifën e anëtarësimit, infermierët shprehin pakënaqësi

Prishtinë | 19 Qer 2026 | 15:08 | Nga Ekonomia Online

Rritja e tarifës së anëtarësimit në Odën e Infermierëve të Kosovës (OIK) ka ngjallur reagime. Nga muaji mars, anëtarët e OIK-ut janë të obliguar të paguajnë 3.50 euro në muaj, krahasuar me tarifën e mëparshme prej 0.83 euro.

Sipas vendimit të ri, të gjithë infermierët, pavarësisht nëse janë të punësuar apo jo, obligohen të paguajnë 3.50 euro në muaj për të ruajtur statusin e tyre si anëtarë të OIK-ut.

Një infermiere, e cila ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me këtë vendim, tha se rritja e tarifës nga 0.83 euro në 3.50 euro është e papërballueshme.

“Çmimet e produkteve dhe shërbimeve janë rritur vazhdimisht, ndërsa pagat tona nuk po e përcjellin këtë ritëm. Kjo rritje është e krejtësisht e padrejtë ”, tha ajo.

Nga ana tjetër, Oda e Infermierëve ka bërë të ditur se moskryerja e pagesës së anëtarësisë për një periudhë prej gjashtë muajsh sjell pasoja serioze për anëtarët. Sipas njoftimit, mospërmbushja e këtij obligimi rezulton me përfundimin e anëtarësimit, fshirjen nga Regjistri i Anëtarëve dhe humbjen e të gjitha të drejtave që rrjedhin nga anëtarësia, përfshirë edhe të drejtën për licencë profesionale.

Po ashtu, në rast të ri-anëtarësimit, anëtari obligohet të paguajë dyfishin e tarifës së regjistrimit.

OIK ka njoftuar se të gjithë anëtarët që nuk i kryejnë obligimet e anëtarësisë nuk do të mund të përfitojnë nga shërbimet dhe benefitet që ofron oda, përfshirë mbrojtjen ligjore, sigurimin jetësor dhe shëndetësor, Edukimin e Vazhdueshëm Profesional (EVP), si dhe programe të tjera të dedikuara për anëtarët aktivë.

E lidhur me këtë vendim në një përgjigje të OIK për Indeksonline thuhet se ndryshimi i tarifave është bërë në bazë të vendimit të Kuvendit të OIK-ut, organit më të lartë vendimmarrës të Odës. Sipas OIK me tarifat e reja sigurohet mbulueshmëri më e mirë e shërbimeve për anëtarët, përfshirë sigurimin jetësor dhe ofrimin e mbështetjes juridike përmes shërbimeve të avokatit.

Ndërsa thonë se nuk kanë pranuar asnjë ankesë nga infermierët, sa i përket rritjes së çmimit të anëtarësisë.

“Sa i përket ankesave, deri më tani Oda nuk ka pranuar asnjë ankesë zyrtare lidhur me ndryshimin e tarifave të anëtarësisë. Në bazë të Vendimit të Kuvendit të Odës së infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësor të Kosovës, të datës 27.02.2026, është përcaktuar mënyra e re e pagesës së anëtarësisë sipas kategorive të anëtarëve. Anëtarët e punësuar në sektorin publik paguajnë anëtarësinë në shumën prej 0.5% të pagës bruto përmes sistemit Payroll. Anëtarët e papunë dhe të punësuarit në sektorin privat paguajnë 3 euro në muaj, ndërsa anëtarët me status pensioneri paguajnë 2 euro në muaj. Për këto kategori, pagesa realizohet në baza vjetore me parapagim”, thuhet në përgjigjen e OIK..

Të ngjashme