Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave ka njoftuar se gjatë periudhës 12-19 qershor 2026, mbrojtësit e viktimave në nivel të Kosovës kanë trajtuar gjithsej 46 raste të reja, ku numrin më të madh e përbëjnë rastet e dhunës në familje.
Sipas të dhënave të publikuara, nga 46 rastet e reja të trajtuara, 36 kanë qenë raste të dhunës në familje, dy raste të trafikimit me njerëz, një rast dhunimi, një rast tentim-dhunimi, një rast i krimeve të luftës dhe pesë raste të mospërfilljes së gjykatës.
Gjatë kësaj periudhe, Zyra ka parashtruar gjashtë kërkesa për urdhër mbrojtjeje (KUM) në gjykatë dhe 11 kërkesa për urdhër mbrojtjeje emergjente (KUME). Po ashtu janë dorëzuar katër kërkesa për ndryshim të urdhrit mbrojtës, dy kërkesa për vazhdimin e tij dhe një kërkesë për ndërprerjen e urdhrit mbrojtës.
Statistikat tregojnë se janë paraqitur edhe një ankesë dhe dy parashtresa, ndërsa gjykatat kanë aprovuar 15 aktvendime dhe kanë refuzuar një aktvendim.
Në kuadër të mbështetjes së viktimave, mbrojtësit e viktimave kanë marrë pjesë në 85 seanca gjyqësore dhe 13 seanca në prokurori, ndërsa kanë ofruar gjithsej 110 këshilla juridike.
Ndërkaq, gjatë javës raportuese janë shqiptuar 17 aktgjykime dënuese, dy aktgjykime liruese dhe një aktgjykim refuzues.
Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave ka bërë të ditur gjithashtu se është realizuar një përfaqësim i rastit në polici, dy referime të rasteve në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas (ANJF) dhe shtatë referime në Qendrat për Punë Sociale (QPS).