Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, dhe ministrja e Shtetit dhe kryenegociatorja e Republikës së Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka, kanë hapur në Tiranë një punëtori për shkëmbimin e përvojave në procesin e integrimit evropian.
Sipas njoftimit, punëtoria tërëditore është rezultat i dakordimit për thellimin e bashkëpunimit në fushën e integrimit evropian, të arritur gjatë takimit të parë ndërmjet dy kryenegociatorëve më 20 prill.
“Kjo punëtori tërëditore është rezultat i dakordimit për thellimin e bashkëpunimit në fushën e integrimit evropian, të arritur gjatë takimit të parë ndërmjet dy kryenegociatorëve, më 20 prill”, thuhet në njoftim.
Takimi i sotëm është fokusuar në organizimin e përgatitjeve për pyetësorin e Bashkimit Evropian, fazën e “screening”-ut dhe krijimin e trupave ndërinstitucionale negociuese.
“Takimi i sotëm u fokusua në organizimin e përgatitjeve për pyetësorin, fazën e ‘screening’ dhe krijimin e trupave ndër-institucionale negociuese”, bëhet e ditur në komunikatë.
Në njoftim theksohet se Kosova synon marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa institucionet po zhvillojnë përgatitje të hershme për këtë proces.
“Kosova synon marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ky synim po shoqërohet me përgatitje të hershme institucionale ashtu që kur vendimet të merren, përgjigja e institucioneve të jetë e shpejtë, e koordinuar dhe cilësore”, thuhet në njoftim.
Sipas palëve, përvoja e Shqipërisë në procesin negociues me BE-në paraqet një mundësi të rëndësishme për Kosovën në ndërtimin e strukturave të nevojshme për negociatat e ardhshme.
“Marrja e përvojës së krijuar rishtazi nga Shqipëria në këtë proces shërben si një mundësi e rëndësishme për të ndërtuar strukturat e nevojshme që i përgjigjen procesit kompleks dhe gjithpërfshirës të negociatave me Bashkimin Evropian”, theksohet më tej.
Gjatë takimit, Zulfaj përgëzoi Dhukën dhe ekipin e saj për angazhimin në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian dhe shprehu mirënjohje për gatishmërinë e Shqipërisë për të ndarë përvojën e saj me institucionet e Kosovës.