Ministria e Sportit dhe Rinisë, në bashkëpunim me Zyrën Lokale të RYCO-s në Kosovë dhe GIZ, ka mbajtur takimin me temën “Rinia në Fokus: Takimi i Nivelit të Lartë për Koordinimin e Donatorëve në Kosovë”, ku u diskutua për forcimin e koordinimit ndërmjet institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë për mbështetjen e të rinjve. Në këtë tryezë u theksua rëndësia e investimeve strategjike në rini, harmonizimi i politikave dhe krijimi i mekanizmave të përhershëm të bashkëpunimit mes donatorëve dhe institucioneve, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, tha se rinia mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës dhe vlerësoi kontributin e partnerëve ndërkombëtarë në fuqizimin e të rinjve.
“Përmes investimeve, programeve dhe partneriteteve tuaja, mijëra të rinj kanë pasur mundësi: Të zhvillojnë aftësitë e tyre, të përfshihen në jetën publike, të ndërtojnë ura bashkëpunimi, të kontribuojnë në zhvillimin e komuniteteve të tyre. Kosova është vendi me popullsinë më të re në Evropë. Për ne, kjo nuk është vetëm një karakteristikë demografike, por është një avantazh strategjik dhe një përgjegjësi e madhe. Rinia përfaqëson potencialin më të madh zhvillimor të vendit tonë dhe investimi në të rinjtë është investim në të tashmen, por edhe në të ardhmen e Kosovës. Për këtë arsye, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka vendosur rininë në mesin e prioriteteve kryesore të saj. Strategjia Shtetërore për Rininë 2024–2032 ofron vizionin tonë afatgjatë për fuqizimin e të rinjve, ndërsa institucionet tona vazhdojnë të investojnë në programe që promovojnë: Pjesëmarrjen rinore, Zhvillimin e aftësive, Edukimin joformal, Vullnetarizmin, Inovacionin dhe Ndërmarrësinë. Megjithatë, jemi të vetëdijshëm se sfidat me të cilat përballen të rinjtë sot janë komplekse dhe kërkojnë përgjigje të koordinuar. Tranzicioni nga arsimi në tregun e punës, nevoja për aftësi të reja në një ekonomi që ndryshon me ritme super të shpejta, promovimi i paqes dhe kohezionit social, si dhe krijimi i mundësive të barabarta për të gjithë të rinjtë mbeten prioritete të përbashkëta“, thekson ai.
Duke folur për rëndësinë e koordinimit të donatorëve dhe bashkëpunimit institucional, Gashani propozoi edhe krijimin e një platforme të rregullt të përvitshme për sektorin e rinisë.
“Pikërisht për këtë arsye, takimi i sotëm ka një rëndësi të veçantë. Në një kohë kur po shohim zvogëlim të fondeve dhe pranisë së disa donatorëve në rajon, bëhet edhe më e domosdoshme që resurset ekzistuese të përdoren në mënyrë strategjike, të koordinuar dhe me ndikim sa më të madh. Kjo tryezë na jep mundësinë të kemi një pasqyrë më të qartë të mbështetjes aktuale për rininë në Kosovë, të identifikojmë boshllëqet ekzistuese dhe të harmonizojmë më mirë ndërhyrjet tona. Nevoja për koordinim nuk është vetëm e dëshirueshme, ajo është domosdoshmëri. Vetëm përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve, donatorëve, organizatave rinore dhe partnerëve ndërkombëtarë mund të kemi një kuptim të qartë se ku po orientohen fondet, cilat prioritete po mbështeten dhe cilat nevoja ende mbeten të paadresuara. Për këtë arsye, do të dëshiroja të propozoj që ky takim të mos mbetet vetëm një aktivitet, por të shndërrohet në një platformë të rregullt vjetore koordinimi për sektorin e rinisë në Kosovë. Një platformë e tillë do të na mundësonte të mblidhemi çdo vit për të: Analizuar progresin, Identifikuar sfidat e reja, Shkëmbyer informacion mbi investimet, Harmonizuar prioritetet tona në përputhje me nevojat reale të të rinjve dhe objektivat strategjike të Kosovës“, thotë Gashani.
Ai njoftoi gjithashtu për planet e ministrisë për krijimin e një platforme informative që do të rrisë transparencën dhe koordinimin e investimeve në sektorin e rinisë.
“Të nderuar pjesëmarrës, siç e keni parë edhe nga matrica e donatorëve e prezantuar në kuadër të këtij procesi, një nga sfidat kryesore mbetet qasja e përbashkët në informacion dhe koordinimi i investimeve. E pikërisht për këtë arsye, Ministria e Sportit dhe Rinisë, si një ministri e re që është ende në proces të konsolidimit dhe ndërtimit të kapaciteteve të saj institucionale, po planifikon që gjatë zhvillimit të uebfaqes së re zyrtare të krijojë një hapësirë të veçantë për publikimin dhe përditësimin e vazhdueshëm të kësaj matrice. Qëllimi ynë është që kjo platformë të shërbejë si një burim i përbashkët informacioni për të gjithë aktorët relevantë. Përmes saj, do të mund të kemi transparencë më të madhe me fondet, programet dhe iniciativat që mbështesin të rinjtë, duke shmangur mbivendosjet dhe duke identifikuar më lehtë fushat ku nevojitet mbështetje shtesë. Ministria e Sportit dhe Rinisë është e gatshme të luajë rolin e urës lidhëse në këtë rrugëtim. Ne e shohim veten si një partner që sjell bashkë institucionet, donatorët, organizatat rinore dhe vetë të rinjtë, me qëllim që çdo investim dhe çdo iniciativë të kontribuojë në mënyrë sa më efektive në zhvillimin e rinisë në Kosovë. Kosova nuk kërkon vetëm mbështetje financiare; Kosova kërkon partneritete afatgjata, koordinim më të mirë dhe angazhim të përbashkët për të krijuar mundësi më të mëdha për të rinjtë tanë“, tha ai.
Në emër të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Olivier Boudart, udhëheqës i ekipit për Shoqëri Civile, Media, Rini dhe Kulturë, tha se rënia e financimit nga donatorët në rajon e bën edhe më të rëndësishëm koordinimin e përbashkët.
“Tryeza e sotme është në një moment themelor ku financimi nga donatorët është në rënie në tërë Ballkanin. Forcimi i bashkërendimit dhe sigurimi i mbështetjes për të rinjtë është më i rëndësishëm se kurdoherë më parë. Ky takim po ofron një mundësi që të qartësojë dhe kuptojë si duhet përdorimin e peizazhit rinor dhe që të vë themelet për një bashkëpunim më të fuqishëm. Kosova ka popullatën më të re në Evropë — kapitali apo aseti më i rëndësishëm në Evropë për t’u zhbllokuar”, u shpreh ai.
Duke folur për prioritetet e Bashkimit Evropian në mbështetje të të rinjve, Boudart vuri theksin te arsimi, punësimi, paqja dhe siguria.
“Ndërkombëtarët duhet në mënyrë strategjike të mbështesin ata, veçanërisht në arsim, paqe dhe siguri. Prioritetet janë të linjëzuara me strategjinë për rininë 2024-2032, e cila bazohet shumë në strategjinë për rininë. Në fushën e arsimit, fokusi është në të gjithë sistemin në Kosovë që t’u përgjigjet më mirë nevojave reale të njerëzve. Ne po përpiqemi të ofrojmë cilësi të lartë dhe gjithëpërfshirëse, për të përfshirë të gjithë në të gjithë ciklin e arsimit apo shkollimit. Kjo përfshin mësimin e vazhdueshëm, zhvillimin e praktikës, promovimin e arsimit cilësor dhe sigurimin e lidhjes midis shkollës dhe tregut të punës, si dhe mundësive të reja të punësimit. Në fushën e punësimit, sfidat janë të qarta. Të rinjtë kanë nevojë për qasje në vende pune, por gjithashtu edhe për aftësitë dhe përvojat e tyre që të kalojnë në mënyrë të natyrshme nga arsimi në vendin e punës. Kjo nënkupton që arsimi profesional dhe arsimi i lartë të jenë shumë më ngushtë të harmonizuara me aktivitetet e tregut të punës. Një shqetësim kyç është se në Kosovë, një në tre të rinj nuk janë në punësim, arsim apo duke u aftësuar. Prandaj, garancia e shtuar për të rinjtë është shumë e rëndësishme dhe do të sigurojë që secili person i ri do të ketë një ofertë të mirë për punë, për arsim, për zanat apo për punë profesionale brenda një periudhe të caktuar pasi të kalojë nga shkolla në punësim. Diskutimi për rininë, paqen dhe sigurinë është një pikë e rëndësishme, siç e theksoi me të drejtë ministri. Të rinjtë kanë një rol shumë vital për të luajtur në ndërtimin e paqes në Kosovë, përfshirë edhe përmes adresimit të traumave nga e kaluara, promovimit të gjithëpërfshirjes, forcimit të reziliencës dhe integrimit të parimeve të rinisë, paqes dhe sigurisë në qeverisjen lokale apo vendore“, thotë ai.
Boudart ritheksoi angazhimin e Bashkimit Evropian për të mbështetur Kosovën dhe rëndësinë e dëgjimit të zërit të të rinjve.
“Si partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës që ofron asistencë financiare, BE-ja mbështet të gjitha fushat përmes programeve të ndryshme, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë vendor e lokal. Këto paraqesin zotimin tonë të vazhdueshëm për të mbështetur këtë drejtim. Kolegja ime do të përcaktojë mundësitë që janë në dispozicion të institucioneve në Kosovë, kryesisht për të rinjtë. Që ta përmbyll fjalën time, kjo tryezë është një mundësi për të dëgjuar fillimisht të rinjtë, në mënyrë që të harmonizojmë përpjekjet tona si komunitet i donatorëve dhe si qeveri, si dhe të forcojmë bashkëpunimin në këtë fushë. Duke bërë këtë, sigurohemi që zëri i të rinjve në Kosovë të dëgjohet dhe të përkthehet në veprime kuptimplota“, shtoi ai.
Perfaqësuesi i të rinjve të Kosovës në bordin drejtues të RYCO-s, Ismet Krasniqi, tha se prezantimi synon të nxjerrë në pah jo vetëm sfidat, por edhe mundësitë për bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet institucioneve dhe partnerëve zhvillimorë.
“Qëllimi i këtij prezantimi nuk është vetëm të evidentojë sfida, por edhe të identifikojë mundësi për bashkëpunim më të fuqishëm ndërmjet institucioneve, organizatave të shoqërisë civile, partnerëve ndërkombëtarë dhe donatorëve. Duke dëgjuar të rinjtë dhe duke kuptuar nevojat e tyre, ne mund t’i harmonizojmë më mirë përpjekjet tona dhe të sigurojmë që mbështetja të arrijë aty ku është më e nevojshme. Gjatë prezantimit, po ashtu, do të paraqes disa nga trendet kryesore që kanë dalë nga këto konsultime dhe do të diskutoj se si ato lidhen me prioritetet dhe politikat e rinore dhe objektivat zhvillimore të Kosovës. Shpresoj që kjo pasqyrë të kontribuojë në një diskutim konstruktiv mbi mënyrat se si mund të vazhdojmë të punojmë së bashku për të krijuar më shumë mundësi dhe një të ardhme më të mirë për të rinjtë. Le të fillojmë me mundësitë e punësimit, e cila vazhdon të jetë një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga të rinjtë në Kosovë. Gjatë konsultimeve me të rinjtë nga komuna të ndryshme, një mesazh i përbashkët u përsërit vazhdimisht. Kalimi nga korniza e arsimit në tregun e punës është shumë më i vështirë se sa duhet të jetë. Pas viteve të tëra studimeve, shumë të rinj hasin në vështirësi në gjetjen e mundësive që përputhen me kualifikimet dhe ambiciet e tyre nga sistemi i arsimit, që ata kanë ndjekur. Një nga sfidat kryesore që ata theksojnë është hendeku ndërmjet njohurive që fitohen në sistemin arsimor dhe kërkesave të tregut të punës. Edhe pse arsimi ofron bazë të rëndësishme teorike, shumë të rinj mendojnë se kanë pak mundësi për të fituar përvojë praktike, para hyrjes në tregun e punës. Si rezultat, shpesh përballen me paradoksin ku punëdhënësit kërkojnë përvojë dhe është shumë e vështirë të fitohet përvoja pa iu dhënë fillimisht një mundësi. Të rinjtë, gjithashtu, theksojnë nevojën e rritjes së aftësive të tyre digjitale, komunikimit, punës në ekip, zgjidhjes së problemeve dhe kompetencave të tjera praktike që kërkohen gjithnjë më shumë në tregun e punës. Ata vlerësojnë se nevojiten më shumë mundësi për zhvillimin e këtyre aftësive praktike profesionale, programeve të mentorimit që fatkeqësisht ende janë të cekta ose jo të vlefshme, ashtu siç duhet të jenë, si dhe bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet institucioneve arsimore dhe sektorit privat. Në çdo rast që të përmendësh shpesh është pasiguria për perspektivën profesionale sepse si rezultat i të gjitha këtyre sfidave, vjen edhe pasiguria për perspektivën profesionale, pavarësisht përpjekjeve dhe kualifikimeve tona. Gjetja e një pune të qëndrueshme dhe kuptimplotë ende mbetet sfidë. Kjo situatë pastaj lidhet edhe me migrimin, ku të rinjtë shohin mundësi të mjaftueshme për zhvillim profesional dhe stabilitet ekonomik. Shumë prej tyre konsiderojnë edhe mundësinë e largimit”, tha ai.

