AUV kërkon kompani për asgjësimin e kafshëve të prekura nga sëmundjet, hap tenderin

Prishtinë | 22 Qer 2026 | 21:34 | Nga Ekonomia Online

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka hapur procedurën e prokurimit për kontraktimin e shërbimeve të asgjësimit të kafshëve të prekura nga sëmundjet ngjitëse në territorin e Kosovës. Sipas njoftimit të publikuar, vlera e parashikuar e kontratës arrin në 75 mijë euro.

Kontrata është paraparë të realizohet si marrëveshje kornizë me një operator ekonomik për një periudhë 12-mujore dhe do të zbatohet varësisht nga rastet e paraqitjes së sëmundjeve te kafshët në të gjithë territorin e vendit.

Sipas dokumentacionit të tenderit, operatori ekonomik që synon të fitojë kontratën duhet të disponojë kamion të përshtatshëm për transportin e kafshëve, ekskavator për groposjen e tyre, pajisje për dezinfektimin e zonave të infektuara si dhe pajisje për asgjësimin e shpezëve me gaz. Gjithashtu kërkohet të ketë së paku katër punëtorë të angazhuar për therjen, ngarkimin dhe shkarkimin e kafshëve.

AUV ka përcaktuar edhe siguri të ekzekutimit në vlerë prej 7,500 eurosh, ndërsa operatorët ekonomikë duhet të dorëzojnë siguri të tenderit prej 2 mijë eurosh.

Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 15 korrik 2026, në ora 11:00, përmes platformës elektronike të prokurimit publik. Kontrata do të jepet sipas kriterit të çmimit më të ulët.

Të ngjashme