Gjyqtari Agron Maxhuni, kandidat për anëtar të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) nga radhët e gjykatave themelore, gjatë fjalimit të tij, premtoi rritje të llogaridhënies dhe mbrojtje të integritetit të gjyqtarëve.
Maxhuni tha se është i gatshëm të punojë me përgjegjësi, me zbatim të parimeve bazë të Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi.
Ai premtoi se nëse zgjedhet në pozitën e anëtarit të KGJK-së, do të punojë për pavarësi financiare dhe se do të mbështesë çdo vendim që paraqet pavarësi e llogaridhënie.
Maxhuni po ashtu tha se do të punojë që gjyqtarët të kenë kushte adekuate për punë.
“Do të përkrah të gjitha proceset në zbatim e sipër dhe zhvillimin e politikave strategjike që lidhen me reformën në Kosovë, bazuar në standardet më të larta”, u shpreh ai.
Gjyqtari premtoi po ashtu qasje të barabartë për të gjithë qytetarët, forcim të llogaridhënies institucionale, rritje dhe mbrojtje të integritetit të gjyqtarëve.
Gjithashtu, Maxhuni premtoi edhe zgjerim të transparencës në KGJK dhe nëpër gjykata.
Ai shtoi se ka përvojë në administratë shtetërore 16-vjet. Tha se si rezultat i veprimeve që ka ndërmarrë si mbikëqyrës i Gjykatës në Vushtrri, është ulur kriminaliteti në atë rajon.
Në fund, Maxhuni theksoi se ka pasur performancë të lartë të Degës në Vushtri, dhe kjo falë punës së gjyqtarëve.