Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, u takua sot me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, në Turqi, në kuadër të vizitës së parë dypalëshe të një lideri kanadez në këtë vend. Dy aleatët e NATO-s i ngritën marrëdhëniet e tyre në nivelin e një “partneriteti strategjik”, ndërsa Otava synon të zgjerojë rrethin e partnerëve tregtarë dhe të ulë varësinë nga Shtetet e Bashkuara.
Partneriteti i ri do të përqendrohet në tregti dhe investime, mbrojtje dhe siguri, energji, si dhe në marrëdhëniet mes qytetarëve të dy vendeve. Synimi është krijimi i vendeve të punës dhe zgjerimi i mundësive për qytetarët kanadezë dhe turq.
Gjatë ceremonisë, ministrat e Kanadasë dhe Turqisë nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në fushën e energjisë, mbrojtjes dhe transportit ajror.
Carney po zhvillon një sërë takimesh intensive në arenën ndërkombëtare, me shpresën se ato do ta ndihmojnë Kanadanë të mbrohet nga një luftë tregtare me SHBA-në, ku presidenti Donald Trump ka vendosur tarifa të gjera doganore dhe ka vënë në pikëpyetje sovranitetin e vendit fqinj.
Duke folur përkrah Erdoganit në pallatin presidencial në Ankara, Carney tha se partneriteti strategjik do të mbështetet në katër shtylla dhe do të përfshijë një plan veprimi trevjeçar.
“Ne kemi hedhur farat për diçka të re: një partneritet strategjik që do të krijojë mundësi të reja për punonjësit dhe bizneset tona, si dhe më shumë siguri dhe mirëqenie për të dy popujt tanë. Me kujdes dhe përkushtim, ky bashkëpunim do të zhvillohet për brezat e ardhshëm”, deklaroi Carney.
Turqia, anëtare e NATO-s, po kërkon investime dhe partneritete të reja për industrinë e saj të mbrojtjes, e cila po zgjerohet, për centralet e reja bërthamore dhe sektorin minerar.
Duke e vlerësuar Carney-n si një lider me “arsye të shëndoshë dhe largpamësi” në skenën politike globale, Erdogan tha se të dy vendet ndërmorën sot një hap historik drejt thellimit të bashkëpunimit.
“Sot kemi kapërcyer hendekun e gjatë mes Turqisë dhe Kanadasë. Tani po nisim një epokë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve”, tha Erdogan, duke shtuar se të dyja palët synojnë të rrisin fillimisht vëllimin e tregtisë në 5 miliardë dollarë dhe më pas në 10 miliardë dollarë, nga 3 miliardë dollarë që është aktualisht.
Negociatorët e dy vendeve aleate të NATO-s do të takohen muajin e ardhshëm në Ankara për të nisur raundin e parë të bisedimeve për tregtinë e lirë, njoftoi Carney. Ai shtoi se Export Development Canada dhe banka turke Eximbank do të nënshkruajnë një marrëveshje të re, me qëllim që t’u mundësojnë kompanive të të dy vendeve të bashkëpunojnë në projekte në shtete të treta.
Një burim diplomatik turk bëri të ditur se ministrat e Energjisë të Kanadasë dhe Turqisë do të bashkëpunojnë në fusha të tilla si energjia bërthamore, mineralet kritike dhe gazi natyror i lëngshëm (LNG).
Carney deklaroi se të premten do të takohet në Stamboll me biznesmenë dhe investitorë të njohur turq.
“Domosdoshmëri gjeopolitike”
Megjithëse tregtia mes Kanadasë dhe Turqisë mbetet e kufizuar, Turqia përfaqësonte më pak se 0,3% të tregtisë së përgjithshme të mallrave të Kanadasë, me një vlerë prej 4,34 miliardë dollarësh kanadezë (3,09 miliardë dollarë amerikanë). Megjithatë, tregtia dypalëshe është rritur me gati 50% gjatë pesë viteve të fundit.
“Ky udhëtim është pjesë e domosdoshmërisë gjeopolitike për t’u treguar amerikanëve se nuk po rrimë duarkryq duke i pritur ata”, tha Besma Momani, profesoreshë e Shkencave Politike në Universitetin e Waterloo-s.
Gjatë vitit të fundit, Kanadaja ka nënshkruar më shumë se 20 marrëveshje tregtare, në kuadër të përpjekjeve të Carney-t për të dyfishuar eksportet drejt tregjeve jashtë SHBA-së gjatë dekadës së ardhshme.
Në janar, ai udhëtoi drejt Pekinit për të rivendosur marrëdhëniet e tensionuara me Kinën, duke arritur një marrëveshje që uli ndjeshëm tarifat doganore për automjetet elektrike dhe farat e kolzës.
Pavarësisht kritikave se Kina përbën një rrezik për sigurinë, pasi autoritetet kanadeze kishin konstatuar më parë se Pekini kishte ndërhyrë në të paktën dy zgjedhje federale, Carney e cilësoi Kinën si një partner tregtar “më të parashikueshëm” sesa SHBA-në.
Megjithatë, Kanadaja vazhdon të drejtojë drejt SHBA-së pothuajse 70% të eksporteve të saj.
Shtypja e opozitës turke nga autoritetet në Ankara gjatë vitit 2024, si dhe arrestimet që kanë shënjestruar komunitetin LGBTQ+, kanë shkaktuar kritika. Megjithatë, Carney i ka kushtuar më pak vëmendje çështjeve të të drejtave të njeriut krahasuar me paraardhësit e tij.
“Carney do të duhet të ruajë një ekuilibër shumë të kujdesshëm në Turqi, duke hapur perspektiva të reja ekonomike për Kanadanë dhe, njëkohësisht, duke u përpjekur të ruajë rolin e vendit të tij si një fuqi e mesme në përpjekjet për barazi”, tha Anna Agathangelou, profesoreshë e Shkencave Politike në Universitetin e York-ut.
Ankaraja këmbëngul se gjyqësori është i pavarur dhe mohon që hetimet apo proceset gjyqësore të kenë motive politike.
Në samitin e liderëve të NATO-s në korrik, Carney dhe Erdogan nisën negociatat për një marrëveshje të tregtisë së lirë. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, Turqia ra dakord gjithashtu të bëhej anëtare themeluese e Bankës së Kanadasë për Mbrojtjen, Sigurinë dhe Qëndrueshmërinë.
Turqia ka zhvilluar bisedime me kompaninë kanadeze të inxhinierisë AtkinsRéalis, si dhe me kompaninë koreano-jugore Korea Electric Power Corporation dhe kompaninë kineze State Power Investment Corporation, për ndërtimin e mundshëm të centralit të dytë dhe të tretë bërthamor që planifikon të ndërtojë vendi.
Në vitin 2024, Kanadaja hoqi kufizimet për eksportin e armëve drejt Turqisë, përfshirë teknologjinë optike që përdoret në dronët që Turqia eksporton në dhjetëra vende.
Kanadaja eksporton kryesisht thjerrëza, avionë dhe pajisje elektronike drejt Turqisë, ndërsa importon pajisje mjekësore, anije peshkimi, motorë avionësh dhe bizhuteri. /Panorama