D4D kërkon forcimin e edukimit medial për t’u përballur me dezinformimin dhe sfidat digjitale

Prishtinë | 24 Qer 2026 | 14:11 | Nga Ekonomia Online

Organizata Demokraci për Zhvillim (D4D) ka organizuar konferencën me temën “Politikat e Edukimit Medial dhe Qëndrueshmëria Digjitale”, ku u diskutua për ndikimin e dezinformimit në shoqëri, nevojën për edukim medial në sistemin arsimor dhe sfidat që sjell zhvillimi i shpejtë i teknologjisë, raporton Ekonomia Online.

Në hapje të konferencës, ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, theksoi rëndësinë e ndërtimit të qëndrueshmërisë shoqërore ndaj dezinformimit dhe mbrojtjes së vlerave demokratike në epokën digjitale.

“Ballafaqimi me dezinformimin përmes një qasjeje të përqendruar te njeriu do të lejojë që inovacioni të fuqizojë, dhe jo të dobësojë, demokracinë. Kjo do të ndihmojë për të siguruar që transformimi digjital të mbështesë gjithëpërfshirjen, të mbrojë dinjitetin dhe të ndërtojë qëndrueshmëri për të gjithë ne. Më lejoni ta përfundoj duke ju inkurajuar të gjithëve që të angazhoheni aktivisht në diskutimin e sotëm. Kontributi juaj është thelbësor në formësimin e politikave efektive dhe në promovimin e një kulture që vlerëson të vërtetën, respektin dhe vlerat demokratike”, tha Dietz.

Gjatë prezantimit të punimit: Fuqizimi i qëndrueshmërisë ndaj dezinformimit përmes mendimit kritik dhe edukimit mbi demokracinë, përfaqësuesja e D4D-së, Venera Gashi, tha se studimi është hartuar pas konsultimeve me institucione arsimore, organizata, mësimdhënës, prindër dhe nxënës, duke evidentuar problemet që lidhen me dezinformimin dhe çrregullimin informativ.

“Atëherë siç u përmend, ne si D4D kemi zhvilluar takime të shumta, duke filluar prej institucioneve të arsimit, organizatave të tjera të cilat merren me edukimin edhe merren me aktivitetet me të rritur, gjithashtu edhe shkollat publike, private, universitetet dhe shkollat e mesme, gjithashtu edhe mësimdhënësit edhe prindërit. Prandaj kjo analizë e politikave është hartuar në bazë të këtyre takimeve dhe të situatës që mbizotëron në Kosovë sa i përket edukimit medial. Pra sot jemi mbledhur për me diskutuar një sfidë që po prek çdo pjesë të shoqërisë tonë, ku ne po përballemi me një çrregullim informativ, dhe dezinformimi si fenomen po kthehet në një problem strukturor, që cenon drejtpërdrejt jo vetëm shoqërinë por edhe demokracinë tonë. Kostoja nuk matet thjesht me lajme të rreme, por matet edhe me dëme reale dhe afatgjata, domethënë me tensione, me probleme që shkaktohen në shoqëri, edhe ndarja e shoqërisë nga lajmet e ndryshme që po qarkullojnë në rrjetet sociale, sidomos në rrjetet sociale. Kjo kosto e ka burimin nga zhvillimet e shpejta digjitale siç janë AI, apo deepfakes që quhen manipulime vizuale që po ndikojnë apo po nxisin dhunë, nga keqpërdorimi i këtyre mjeteve të teknologjisë që i kemi, çon në mosbesim ndaj shumë gjërave. Keqpërdoret besimi në fe, keqpërdoret besimi në mjekësi, keqpërdoret besimi në shkencë, edhe në edukim, dhe prandaj ky është një problem strukturor që ne e kemi”, tha ajo.

Ajo theksoi se një nga rekomandimet kryesore të D4D-së është krijimi i asaj që e quajti “imunizim digjital psikologjik” i shoqërisë, veçanërisht i të rinjve, për t’i ndihmuar ata të dallojnë informacionet e sakta nga dezinformatat.

“Ajo çka ne si D4D kemi kërkuar nonstop ka qenë një, le të themi një imunizim digjital psikologjik i shoqërisë, dhe sidomos i të rinjve. Me imunizim duam të themi se duam që fëmijët ose të rinjtë tanë të jenë të aftë të filtrojnë informatat që i marrin nga interneti. E kemi thënë disa herë dhe e përsërisim prapë, që dezinformata varet nga vëmendja e publikut. Ne nuk mundemi me ndaluar keqpërdorimet me AI, nuk mundemi me ndaluar propagandën dhe dezinformimin, por ne mundemi me krijuar një shoqëri që janë të aftë me filtruar llojin e informatës që ata e marrin, në mënyrë që mos t’i jepet vëmendja informatave të rreme, të dëmshme në shoqërinë tonë. Prandaj, ne kemi analizuar sistemin e arsimit le të themi në gjendjen që e kemi sot. I kemi analizuar tekstet e hartuara, por kur flitet për tekstet e hartuara e kemi në sensin që është vështirë me i përfshirë tekstet shpesh sepse teknologjia po ecën edhe po dalin fenomene të reja, ndërsa tekstet shkollore po mbesin të njëjta për sa vite. Po ashtu, tekstet shkollore kanë një mungesë sa i përket mediave online, mediave tradicionale, por jo për rreziqet apo për fenomenet e ndryshme që ne i shohim çdo ditë në internet, apo inteligjencën artificiale, por edhe digjitalizimin”, shtoi ajo.

Ndërkaq, përfaqësuesja e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Fehime Llapashtica, tha se edukimi medial është pjesë e kornizës kurrikulare dhe duhet të trajtohet në të gjitha lëndët mësimore, duke theksuar përpjekjet e ministrisë për të rritur ndërgjegjesimin dhe përgatitjen e mësimdhënësve në këtë fushë.

“E para është edukimi medial është një çështje e cila duhet trajtuar nëpërmjet të gjitha lëndëve sipas kornizës kurrikulare të Kosovës dhe ajo nuk duhet të ndahet nga asnjë lëndë, ashtu siç e thash si gjuha duhet të jetë në secilën lëndë. Por qasja, duhet të kemi një lloj përgatitje të skajshme, një lloj qasje ndaj kësaj çështje kurrikulare dhe fëmijët tanë të vetëdijesohen për rëndësinë e përdorimit me përgjegjësi të internetit apo të platformave digjitale, edukimit medial, sidomos për ta ngrit cilësinë dhe për të arrit rezultatet të cilat janë të parapara. Ministria e Arsimit, duke e pasur parasysh që e ka si kërkesë të kornizës kurrikulare edukimin medial, ka bërë disa hapa. Fillimisht, e kemi trajtuar si çështje ndërkurrikulare, jemi munduar që mësimdhënësit të kenë informata dhe ta kuptojnë se çfarë është edukimi medial. Me OSBE-në kemi pasur një bashkëpunim dhe kemi mbajtur një trajnim me disa instruktorë të caktuar për ta kuptuar konceptin e edukimit medial. Pastaj aktivitetet kanë vazhduar, OSBE-ja i ka vazhduar aktivitetet me trajnime në mënyrë të pavarur. Jemi munduar që mësimdhënësit të kenë informata për rëndësinë e edukimit medial përmes udhëzuesve dhe formave të tjera lokale e ndërkombëtare për vetëdijesimin e tyre. Se sa zbatohet në shkolla dhe si zbatohet, ende nuk e kemi një informatë të saktë, por e di se edukimi medial është pritur shumë mirë dhe në disa shkolla është kërkuar që të bëhet lëndë e veçantë”, tha ajo.

Të ngjashme