Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) kanë bërë të ditur se po sigurojnë rreth 10,000 qese për trupat e viktimave, si pjesë e operacionit të gjerë të shpëtimit në Venezuelë, pas tërmeteve të fuqishme që kanë goditur vendin.
Koordinatori rezident humanitar i OKB-së, Gianluca Rampolla Del Tindaro, në një konferencë për media ka deklaruar se, sipas përditësimit të fundit deri të dielën mbrëma, numri i viktimave ka arritur në 1,450, por pritet që ky shifër “të rritet në mënyrë të pashmangshme dhe të trishtueshme” me vazhdimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit, raporton BBC.
Ai ka theksuar se OKB-ja, në koordinim me autoritetet lokale, po punon mbi supozimin se nevojiten rreth 10 mijë qese për trupat e pajetë, duke e cilësuar situatën si shumë të rëndë dhe të dhimbshme.
“Shpresojmë që numri të jetë më i ulët, prandaj jemi të përqendruar aktualisht në operacionet e shpëtimit”, ka deklaruar Del Tindaro.
Ndërkohë, Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) kishte vlerësuar në orët pas tërmeteve se ekziston një mundësi prej 44% që numri i viktimave të arrijë deri në 10,000, si dhe 30% mundësi që ai të shkojë deri në 100,000.