Gjykata Speciale ka caktuar 16 shtatorin si datë për shpalljen e vendimit në rastin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Lidhur, me këtë vendim për Ekonomia Online ka folur avokati Ardian Bajraktari, duke thënë se duke e parë qasjen që ka pasur Gjykata Speciale në vazhdimësi ndaj këtij procesi, vendimi për të ka qenë jobefasues.
“Duke e parë qasjen që ka pasur në vazhdimësi Gjykata Speciale, bazuar edhe në faktin që Rregullorja e Procedurës dhe e Provave, lejon mundësinë përjashtuese, një vendim i tillë ka qenë jo befasues për bindjen time, bazuar edhe në faktin që ka një numër të madh të provave materiale, të cilat duhet të shqyrtohen nga ana e trupit gjykues, pavarësisht që këto prova në bindjen time do të duhej të shpalleshin pjesa dërrmuese, të prapranueshme, për faktin se janë marrur nga regjimi gjenocidial serb”, ka thënë Bajraktari.
Ai, ka thënë se ka cenim të njërit prej rregullave ose parimeve bazë të drejtësisë e që është gjykimi brenda një afati të arsyeshëm.
“Qasja që ka pasur në vazhdimësi Prokuroria mirëpo edhe Gjykata në përgjithësi, në raport me katërshen e UÇK-së, pavarësisht që kjo e fundit do të duhej të ishtë objektive në rastin e shqyrtimit dhe vendimmarrjes, fakti që tashmë kemi një proces të stërzgjatur, kemi cenim të njërit prej rregullave ose parimeve bazë të drejtësisë, siç është gjykimi brenda një afati të arsyeshëm, shto faktin këtu që katërshja e UÇK-së mbahet në masën e paraburgimit, si masa më e ashpër dhe jo proporcionale për sigurimin e prezencës së pandehurit në procedurë, për faktin se në rast se jo më herët, së paku nga fillim prilli i vitit që shkoi, këta do duhej të liroheshin dhe ta prisnin vendimin në familjet e tyre”, ka thënë ai.
Bajraktari ka shtuar se vendimi i vetëm i drejtë ndaj tyre do të jetë pafajësia.
“Mbi bazën e asaj që kemi parë dhe atë që është demonstruar deri më tash, Prokuroria nuk ka arritur t’i argumentojë tezat e saj, për sa i përket zingjirëve të hiearkisë komanduese si dhe mundësisë të ushtrimit efektiv të kontrollit, poashtu edhe qëllimit në vetvete që ka pasur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, prandaj në rast se ka drejtësi dhe vendim të bazuar në ligj dhe në prova, të cilat janë administruar dhe janë bërë pubike deri tash, vendim i vetëm i drejtë do të jetë pafajësia e katërshes së UÇK-së”, ka deklaruar avokati Bajraktari.
Katër ish-udhëheqësit e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.
Gjykata Speciale është formalisht pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka hasur në kundërshtime të shumta në Kosovë, pasi është parë si e njëanshme, duke qenë se në të nuk përfshihen krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës.
Prej atëherë, nëpër Kosovë janë vendosur pankarte e pllakate të mëdha me mesazhin “Liria ka emër” dhe fotografi të ish-krerëve të UÇK-së.
Gjithashtu ka pasur protesta kundër këtij procesi në Hagë, në Prishtinë dhe në qytete të tjera.
Mijëra qytetarë morën pjesë në protestën “Drejtësi, jo politikë” në Ditën e Pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt këtë vit në Prishtinë, në përkrahje të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
