Marshimi i fundit

Prishtinë | 03 Kor 2026 | 09:02 | Nga Arif Ejupi

Si skifterë qëndruat
në Bajgorë, Llap e Gallap;
ngadhënjyet te tabet e Llapashticës,
duke zmbrapsur turpshëm
ushtarë, policë
e paramilitarë të armikut.
Më 2 korrik 1999,
si ushtarë të Gardës elitë,
marshuat
e festuat në Prishtinë;
por një ushtar i huaj,
i papërvojë,
nuk diti ta bënte dallimin
se kush ishin çlirimtarët
e kush ushtarët e armikut.
Ju goditi pamëshirshëm
me armën e tij;
gëzimi e hareja
u kthyen në zi.
Kosova humbi
dy ushtarë shembullorë.

Në varrimin tuaj
të gjithë u emocionuan
dhe derdhën lot,
kur kontributin tuaj
në beteja
e kujtuan.
S’është thënë kot:
axhamiu mund të gabojë,
edhe dasmën
në makth e trishtim
ta shndërrojë.
Tragjedia
nuk ua zbehu meritat,
por ua ngriti lavdinë;
ndonëse luftuat
në dëborë, acar e shi,
që Kosova
të mos mbetej nën Serbi.
Latë të veja gratë,
latë jetimë fëmijët.
Avni Dudi e Fahri Bici,
yje lirie
me heroizmin e treguar,
qiellit dardan
i dhatë shkëlqim!

Të ngjashme