Ti ishe bekim për ne

Prishtinë | 06 Kor 2026 | 08:29 | Nga Arif Ejupi

Lindja jote
ishte bekim për ne.
Nga balta
dhe pluhuri
na nxore;
si farkëtari i mirë
hekurin e lakuar,
na drejtove.
Na bëre
ta njohim vetveten
dhe ta themi
të vërtetën,
qoftë edhe
e hidhur
si pelini.
Na mësove
të falim dashuri
dhe të ndiejmë

dhembshuri.
Na mësove
që dëshirat
t’i plotësonim
me disiplinë
e punë,
e assesi
me forcë
e dhunë.
Na edukove
me respektin
ndaj të moshuarve
dhe të sëmurëve.
Na mësove
të mos bëhemi
zvarranikë
e vegël e askujt.
Vazhdimisht na thoshe:
Poqëse
Atdheu rrezikohet,
të gjithë
zot duhet t’i dalim,
se nuk kemi
Atdhe rezervë.
Ishe i qetë,
i ditur
dhe i urtë.
Me fjalë të ëmbla
dhe këshilla prindërore
na mbolle dashurinë
për shokët,
shoqet
dhe shkollën.
Veçanërisht për shoqet
na thoshe:
“Me sjelljen tuaj njerëzore
bëni që shkollat
të mbushen me to.”
Aty ku shkeli
këmba jote,
u shua errësira

dhe mbërriti drita.
Ishe dhe do të mbetesh
fanar drite
i shumë brezave!

Të ngjashme