Ymer Dragusha dënohet me dy vjet burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Prishtinë | 08 Kor 2026 | 11:19 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Ymer Dragusha, duke e dënuar me dënim unik prej 2 vjet burgim lidhur me akuzën se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit në zyrën e prokurimit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, pasi Dragusha ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë në këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Bashkë me të në këtë rast akuzohen edhe ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi dhe Isuf Zejna, por pasi Dragusha arriti marrëveshje për pranim fajësie, mori cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues në këtë rast. Të akuzuarit ngarkohen për dëmtim të buxheti të shtetit rreth 37 milionë euro,

Gjykatësi Beqiri tha se i akuzuari Dragusha është fajtor për katër vepra penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Për pikën 1 të aktakuzës, Dragusha u dënua me 1 vit burgim. Ndërsa për pikën e dytë, të tretë dhe katërt të aktakuzës, për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, të akuzuarit Dragusha iu caktua dënim me nga 8 muaj burgim.

Andaj, ndaj të akuzuarit Dragusha, Gjykata ka shqiptuar dënim unik me burgim me kohëzgjatje prej 2 vitesh, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Po ashtu, pala e dëmtuar- Avokatura Shtetërore u udhëzua që kërkesën pasurore-juridike ta realizojë në konstest të rregullt civil.

I akuzuari Dragusha u urdhërua që të paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale, përkatësisht 100 euro në emër të paushallit gjyqësor si dhe 100 euro në emër të Fondit për kompenzimin e viktimave.

Në shpallje mungoi i akuzuari Dragusha dhe mbrojtësi i tij.

Sipas aktakuzës, Nagip Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, Ymer Dragusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të zyrës së prokurimit dhe Isuf Zejna, si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, akuzohen se me veprimet e tyre i shkaktuan dëm buxhetit të shtetit rreth 37 milionë euro.

Të ngjashme