Një skandal i ri në Kampionatin Botëror, FBI po heton argjentinasit për pastrim parash

Prishtinë | 08 Kor 2026 | 11:50 | Nga Ekonomia Online

Ndërkohë që skuadra kombëtare e Argjentinës po shijon sukses në Kupën e Botës në Shtetet e Bashkuara, një dramë financiare po zhvillohet prapa skenave. Autoritetet amerikane kanë nisur një hetim ndaj Federatës së Futbollit të Argjentinës (AFA) me dyshimin për pastrim parash dhe parregullsi të tjera financiare me vlerë më shumë se 300 milionë dollarë.

Një hap kyç në hetim u zhvillua në Miami, i njëjti qytet ku po qëndronte delegacioni argjentinas i udhëhequr nga presidenti i AFA-s, Claudio “Chiqui” Tapia.

Agjentët e FBI-së dhe prokurorët e Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së e morën në pyetje biznesmenin Guillermo Tofoni në lidhje me strukturën financiare të përdorur për të menaxhuar kontratat tregtare ndërkombëtare të AFA-s.

Takimi me Tofonin zgjati më shumë se dy orë dhe është pjesë e një hetimi paraprak që synon të përcaktojë nëse operacionet e AFA-s përmes bankave dhe kompanive me seli në SHBA përbënin krim sipas ligjit amerikan.

Tapia nën presion të dyfishtë

E gjithë situata përkeqësohet nga fakti se drejtuesit e AFA-s, përfshirë vetë Tapian, është në Shtetet e Bashkuara gjatë Kupës së Botës. Ironikisht, Tapia mori miratimin e gjykatës speciale për të udhëtuar pavarësisht se i ishte ndaluar të largohej nga vendi në Argjentinë.

Ai po ndiqet penalisht në atdheun e tij për keq menaxhim të dyshuar të fondeve tatimore dhe pensionale që arrijnë në më shumë se 19 miliardë peso (11,168,827 euro). Hetimi në SHBA po drejtohet nga tre prokurorë federalë të specializuar në krime ekonomike: Patrick Gushue dhe Christopher Ting nga Uashingtoni, dhe Michael Berger nga Zyra e Prokurorit të SHBA-së për Distriktin Jugor të Floridës.

Detyra e tyre është të mbledhin prova të mjaftueshme për të vendosur nëse do të fillojnë procedurat penale zyrtare. Deri më tani, nuk janë ngritur akuza zyrtare. Procesi është në një fazë të hershme dhe qëllimi është të identifikohen të gjitha palët e përfshira, të analizohen flukset financiare dhe strukturat e përdorura nga AFA në çështjet e saj ndërkombëtare.

Edhe Evropa është përfshirë në histori

Skandali po i shton një dimension tjetër lajmit se edhe Parlamenti Evropian është përfshirë. Është kërkuar një hetim mbi menaxhimin e Gianni Infantinos dhe vendimet e supozuara të arbitrimit që favorizuan ekipe të caktuara në këtë kampionat.

Në përgjithësi, duket se Kupa e Botës e këtij viti në SHBA do të mbahet mend jo vetëm për futbollin, por edhe për numrin e madh të skandaleve që e shoqëruan atë.

Të ngjashme