Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka bërë të ditur se ka inspektuar nga afër ecurinë e punimeve në rrugën Prishtinë–Podujevë, duke theksuar se përfundimi i këtij aksi rrugor mbetet një nga prioritetet kryesore.
Sipas Bashës, pas dhjetëra takimeve me mbikëqyrësit, menaxherët e kontratave dhe operatorët ekonomikë, është arritur marrëveshje që disa pika kritike të projektit, veçanërisht urat dhe nyjet me rrezik të lartë, të përfundojnë më herët, ndërsa pjesa tjetër e punimeve është planifikuar të realizohet deri në fund të këtij viti.
Ai njoftoi se në Bardhosh, brenda kësaj jave pritet të përfundojë një pjesë e urës, çka do të mundësojë zhvillimin e qarkullimit nga Podujeva në drejtim të Prishtinës mbi urë, ndërsa drejtimi tjetër do të vazhdojë përkohësisht përmes bypass-it, deri në përfundimin e trotuarit anësor.
Basha u ndal edhe te segmenti në Vranidoll, për të cilin tha se ka shënuar ngecjet më të mëdha. Ai akuzoi operatorin ekonomik për papërgjegjësi në realizimin e punimeve dhe paralajmëroi se ministria nuk do të tolerojë më vonesa.
“Ministria do të marrë të gjitha masat e parapara me ligj për mosrespektimin e dinamikës së kontratës. Nuk do të tolerojmë më vonesa të pajustifikuara apo mashtrime”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, segmenti nga Ura e Vranidollit deri në Teneshdoll është pothuajse i përfunduar, ndërsa një pjesë e vogël e punimeve është shtyrë për shkak të gjetjeve arkeologjike, për të cilat ministria po bashkëpunon me Ministrinë e Kulturës.
“E kuptoj plotësisht frustrimin e qytetarëve që çdo ditë përballen me vonesa dhe vështirësi në qarkullim. Jam marrë personalisht dhe pa ndërprerje me këtë projekt dhe do të vazhdoj të jem vazhdimisht në terren, duke mbikëqyrur punimet e mbetura, por njëkohësisht edhe duke kërkuar përgjegjësi për çdo vonesë të pajustifikueshme”, tha Basha.