Gjatë valës së fundit të të nxehtit në Evropë, Franca, Belgjika dhe Holanda raportuan të paktën 3,700 vdekje shtesë.
Valët e të nxehtit po paraqesin një rrezik gjithnjë e më të madh për shëndetin e popullsisë në Zvicër, veçanërisht për personat e moshuar.
Sipas një analize të publikuar nga Swissinfo, temperaturat e larta shoqërohen me një rritje të konsiderueshme të vdekshmërisë, sidomos te personat mbi moshën 75 vjeç, transmeton albinfo.ch.
Ekspertët theksojnë se të moshuarit janë më të ndjeshëm ndaj dehidratimit, goditjes nga nxehtësia dhe komplikimeve të sëmundjeve kardiovaskulare e të frymëmarrjes.
Me plakjen e popullsisë zvicerane, ndikimi i valëve të të nxehtit pritet të bëhet edhe më i madh në vitet e ardhshme.
Autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve, veçanërisht të moshuarve dhe familjarëve të tyre, të marrin masa mbrojtëse gjatë ditëve me temperatura të larta. Rekomandohet konsumimi i mjaftueshëm i lëngjeve, shmangia e ekspozimit në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, qëndrimi në ambiente të freskëta dhe kujdes i shtuar për personat më të rrezikuar.
Shqetësimi nuk kufizohet vetëm në Zvicër. Gjatë valës së fundit të të nxehtit në Evropë, Franca, Belgjika dhe Holanda raportuan të paktën 3,700 vdekje shtesë, shumica dërrmuese te të moshuarit, duke nënvizuar ndikimin gjithnjë e më serioz të temperaturave ekstreme në shëndetin publik.