Ligjëruesi i shkencave politike, Valon Murati, ka vlerësuar se cilido qoftë vendimi i Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi që po gjykohen në Hagë, do të ketë ndikim në skenën politike të Kosovës.
Murati në emisionin “Konfront” në KTV, ka thënë se ndikimin më të madh natyrisht do ta ketë Partia Demokratike e Kosovës edhe nëse ata nuk i kthehen jetës politike.
“Një tjetër variabël që prek mundësitë e ndryshimeve është se çka do të ndodhë me vendimin e Dhomave të Specializuara në shtator, cili do të jetë vendimi. Por cilido që të jetë vendimi do të ketë një ndikim në skenën politik, qoftë nëse krerët kthehen. Do të jetë e rëndësishme për PDK-në nëse kthehet Hashim Thaçi e Kadri Veseli edhe nëse nuk futen në politikë, ndikimi do të jetë edhe nga energjia që do të jap kthimi i tyre”, ka thënë Murati.
Sipas tij, Partia Demokratike e Kosovës e ka vënë re ndikimin e mungesës së Thaçit e Veselit për shkak se lidershipi i ri nuk ka arritur të prodhojë politikë dinamike.
“PDK-ja është penalizuar që nga marrja e tyre dhe i tërë ky proces, sepse nuk ka mundur të krijojë një lidership që do të prodhonte politikë dinamike. Nuk është e lehtë të udhëheqësh në parti të tillë kur ti e di se dikush tjetër është më i rëndësishëm se ti por ai nuk është aty. Për Kosovën është shumë e rëndësishme të lirohen, për fatin tonë për historinë tonë”, ka potencuar Murati.
Murati ka vlerësuar se megjithatë, cilido qoftë vendimi i Speciales, Partia Demokratike e Kosovës duhet të bëjë një konsolidim të partisë. Sipas tij është e çuditshme që ky subjekt politik të qëndroj i heshtur në tërë këto zhvillime politike.
Pas shkuarjes së Thaçit e Veselit në Hagë, PDK-ja kishte kryetar Memli Krasniqin. Ai më vonë u tërhoq nga ky post dhe pas zgjedhjeve të brendshme, udhëheqjen e mori Bedri Hamza.
Zgjedhje të sërishme e të quajtura të rregullta, janë paralajmëruar në shtator të këtij viti.
Ndërkohë, 16 shtatori është përcaktuar si data e shpalljes së vendimit në rastin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Paraprakisht, data finale brenda së cilës pritej vendimi ishte 20 korriku.