Me shpinë të kthyer kah deti,
kryeministri Albin Kurti po u tregonte grekëve se si Kasandra ishte e mallkuar ta thoshte të vërtetën,
por askush të mos i besonte.
Për arsye të njohura vetëm për Homerin,
grekët nuk e kanë një mit për dikë që gënjen vazhdimisht,
por të gjithë i besojnë.
Me këtë rast,
u pa se mitologjia ende nuk ka mbaruar punë.
…
Pas luftës,
duke kërkuar familjen në Mitrovicë,
një ushtar i KFOR-it më thirri:
“Hej, Kasandra!”
U gëzova.
Sepse, gjatë luftës… më vjen pak zor ta them, ama s’jam dukur aspak e bukur.
Veç trupi…
Flokët i kishin mbuluar malet.
Me një krehër kriheshim të gjithë.
Maj 1999.
Të gjitha vajzat e gratë i prenë flokët me një palë gërshërë.
Unë jo.
Mendoja se vuajtja s’duhet të duket e shëmtuar.
…
Krahasimi me Kasandrën, megjithatë, nuk më shkonte.
Sepse,
anipse mund të dukem e dyshuar, shqiptarët më besojnë.
Por nuk gëzohem për këtë.
(Prandaj duhet ta kem sozinë time diku në mitologji.)
Përveç që më besojnë…
edhe më kërkojnë këshilla.
Se si kam arritur këtë…
e di vet.
…
Greqia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Pikërisht për këtë arsye, në shenjë proteste, kryeministri ia ktheu shpinën detit të tyre.
…
Në simpozium u fol edhe për Akilin dhe Kasandrën.
Temë kjo shumë e rëndësishme për të ardhmen e njerëzimit.
Për fat, Akili nuk u zemërua.
Kasandrës, si zakonisht, nuk i besoi askush.
Askush nuk e shpalosi thembrën e vet.
As kryeministri.
As unë… kurrë s’e kam treguar timen.
Shumica nuk e dinin kush ishte Akili.
Kasandrën greke e njihnin nga telenovela e Venezuelës.
Kjo e bëri diskutimin edhe më akademik.
Në simpozium nuk u fol për çamët.
Ata nuk janë mit.
Organizatorët ishin të specializuar vetëm për mite.
…
Dikush e pyeti kryeministrin se si arrin t’i fitojë zgjedhjet, ndonëse krejt mediat dhe gazetarët janë kundër tij.
Kryeministri nuk e zbuloi formulën.
Një grek, njohës i miteve, mbeti i habitur.
…
Greqia është aq e humbur në mite,
sa Kosovës ia pranon kryeministrin,
por nuk ia pranon shtetin.
…
P.S.
Ky shkrim dëshmon edhe një herë
se jam e pavarur.
Prandaj mos më besoni lehtë.
…
AUTOKRITIKË
Unë besoj në mrekulli.