Samiti i NATO-s që do të mbahet në Shqipëri në vitin 2027 pritet ta rikthejë rajonin e Ballkanit Perëndimor në qendër të vëmendjes globale, ndërsa Kosova, sipas projeksioneve aktuale, mund të jetë pjesë e diskutimeve strategjike të Aleancës Veri-Atlantike lidhur me zhvillimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse.
Kështu ka vlerësuar eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një intervistë për Ekonomia Online, duke theksuar se Shqipëria do të përfitojë nga organizimi i samitit përmes rritjes së rolit të saj brenda NATO-s, ndërsa Kosova do të jetë në fokus të diskutimeve për shkak të zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Padyshim ne mund të konstatojmë çështjet e samitit të 2027-ës të NATO-s, Shqipërinë do ta rikthejë në qendër të vëmendjes botërore dhe njëkohësisht Kosova do të jetë fokusi i saj. Sepse këto të dyja shtetet, njëra Shqipëria si anëtare e NATO-s do të marrë dhe do të ketë prestigjin e saj brenda aleancës veri-atlantike, do të ketë përfitime në aspektin e ngritjes së kapaciteteve të saja ushtarake dhe të industrisë ushtarake, dhe njëkohësisht marrjen e përgjegjësive të reja sa i përket arkitekturës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.
Sipas Shalës, viti 2028 shënon përmbylljen e planit dhjetëvjeçar të transformimit të FSK-së, gjë që e bën Kosovën pjesë të rëndësishme të diskutimeve të NATO-s në periudhën paraprake.
“Në anën tjetër, Kosova do të përfitojë si fokus sepse sipas të gjitha gjasave dhe projeksioneve që janë duke u kalkuluar, pretendohet dhe pritet që Kosova të jetë pjesë e diskutimit në tavolinën e 2027-ës, meqenëse në 2028-ën Kosova do t’i përmbyllë planin e saj dhjetëvjeçar dhe kjo do të jetë një rentgen apo një vlerësim që do të bëhet nga komponenta e NATO-s, e cila veçse është duke u përgatitur brenda Ministrisë së Mbrojtjes vlerësimin e saj kadrovik, profesional dhe ushtarak për të përshkruar qartazi rrugëtimin e forcës së sigurisë së Kosovës drejt përmbushjes së objektivave të saja ushtarake”, tha ai, për Ekonomia Online.
Ai shtoi se Shqipëria pritet të marrë përgjegjësi të reja brenda Aleancës, sidomos në raport me misionet e NATO-s në rajon.
“Në aspektin profesional, ushtarak dhe diplomatik mund të themi që Shqipëria si vend apo si nyje neurologjike do të fokusohet pikërisht në marrjen e përgjegjësive të reja brenda aleancës veri-atlantike dhe njëkohësisht shpërndarjen e sigurisë, e cila është në kuadër të dy misioneve që NATO veçse i ka në operacionet e saja brenda njësisë kontinentale, pra territoriale, që është çështja e misionit në Bosnjë-Hercegovinë dhe është çështja e misionit në KFOR. Pra, për Shqipërinë do të thotë marrja e përgjegjësive të reja. Do të thotë avancimet e pozicionimit të Shqipërisë jo vetëm si anëtare thjesht e aleancës, por edhe si mekanizëm tepër i rëndësishëm për të përmbushur nevojat dhe kërkesat e NATO 2.3, respektivisht NATO 3.0 bazuar në konceptet e reja ushtarake”, tha ai.
Shala vlerësoi se bashkëpunimi ndërmjet FSK-së dhe institucioneve ushtarake të Shqipërisë po kontribuon në avancimin e kapaciteteve profesionale dhe ushtarake të Kosovës.
“Por njëkohësisht për forcën e sigurisë së Kosovës, rrugëtimi i saj, bashkëpunimi i saj në aspektin profesional me shtetet veç e veç, por njëkohësisht edhe në bashkërendim të ngushtë në direktivën e Ministrisë së Mbrojtjes së shtetit shqiptar, ku forca e sigurisë së Kosovës është duke përmbushur nevojën dhe zbrazëtinë e saj kuadrovike përmes avancimeve ushtarake brenda Akademisë Ushtarake të Shqipërisë, kjo dëshmon faktin që kombi shqiptar dhe populli shqiptar në tërësi nga 2027-ta e tutje do të jetë qendra e gravitetit të zhvillimeve në aspektin edhe të sigurisë, edhe të mbrojtjes, por njëkohësisht edhe diplomatik”, tha ai.
Në Samitin e NATO-s të mbajtur në Ankara të Turqisë (i cili përfundoi më 8 korrik 2026), Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, konfirmoi zyrtarisht se Shqipëria do të jetë mikpritëse e Samitit të ardhshëm të NATO-s në vitin 2027.
Ky do të jetë samiti i 37-të i Aleancës dhe hera e parë që një ngjarje e këtij niveli të lartë politik organizohet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
