Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të udhëtojë këtë të hënë drejt Parisit, ku do të marrë pjesë në Samitin e Koalicionit të Vullnetarëve për Ukrainën (Coalition of the Willing), me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron.
Takimi do të mbledhë krerë shtetesh dhe qeverish, së bashku me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për të diskutuar koordinimin e mbështetjes ndërkombëtare për Ukrainën, raporton Euronews.al.
Sipas Agjencisë për Media dhe Informim, pjesëmarrja e Ramës në këtë samit riafirmon angazhimin e Shqipërisë në mbështetje të Ukrainës, në përputhje me qëndrimin e vendit tonë për mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, si dhe në koordinim me aleatët euroatlantikë.
Ndërkohë, më 14 korrik, me ftesë të Macron, Rama do të marrë pjesë edhe në ceremoninë zyrtare me rastin e Festës Kombëtare të Francës.