Kosova dhe konfuzioni si normalitet

Prishtinë | 16 Kor 2026 | 08:51 | Nga Safet Gërxhaliu

Nëse shoqëria e pranon konfuzionin si normalitet, edhe politika mësohet të jetojë brenda tij. Nëse qytetari i ul pritjet, pushteti e rrit tolerancën ndaj mosfunksionimit. Prandaj, ndryshimi nuk fillon vetëm me formimin e një qeverie. Fillon edhe me rikthimin e ndjeshmërisë ndaj normales. Me idenë se nuk është normale të humbet kohë publike pa pasoja. Nuk është normale të flitet pafund dhe të vendoset pak. Nuk është normale që një vend i ri, me kaq shumë nevoja dhe kaq shumë sfida, të mësohet me pritjen si mënyrë qeverisjeje.

Kosova meriton më shumë se një normalitet të aktruar. Meriton një politikë që nuk e lodh qytetarin, por i jep drejtim vendit. Meriton një pozitë që qeveris me përgjegjësi dhe një opozitë që kontrollon me seriozitet. Meriton institucione që nuk e trajtojnë vonesën si rutinë. Meriton një shoqëri që nuk pajtohet aq lehtë me mosfunksionimin.

Në fund, një shtet nuk ndërtohet vetëm duke fituar zgjedhje. Ndërtohet kur, pas zgjedhjeve, krijohet funksionim. Ndërtohet kur fitorja politike kthehet në vendime, kur vendimet kthehen në rezultate dhe kur rezultatet ia rikthejnë besimin qytetarit.

Koha e shtetit është koha e qytetarit. Kur politika e humb atë, nuk humbet vetëm një ditë në kalendar. Humbet një mundësi për zhvillim, një pjesë të besimit publik dhe një hap drejt një Kosove më funksionale, më të drejtë dhe më dinjitoze.

Të ngjashme