Forumi “Bashkë në Shkencë” bashkon akademikët e diasporës me Universitetin e Prishtinës

Prishtinë | 16 Kor 2026 | 11:53 | Nga Ekonomia Online

Është mbajtur edicioni i dytë i Forumit “Bashkë në Shkencë”, organizuar nga Universiteti i Prishtinës (UP) dhe Diaspora Akademike, edicion ky i cili bashkon studiuesit nga diaspora me personelin akademik të UP-së, në një platformë të diskutimit dhe bashkëpunimit, raporton Ekonomia Online.

Rektori i Univeristetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu tha se numri i atyre që janë bashkuar nga diaspora akademike shpreson të rritet, jo vetëm numërikisht, por edhe në mënyrë përmbajtësore.

“Numri i të afiliuarve me Universitetin e Prishtinës nga diaspora jonë akademike iu ka ofruar dhjetëshit dhe shpresoj që ky numër do të shkojë duke u rritur edhe më, si dhe përfaqësuesisht tani të kemi aktivitete, pra jo vetëm numerikisht, por edhe përfaqësuesisht të kemi aktivitete dhe bashkëpunime secilën herë e më të mëdha, e më domethënëse. Është një potencial i jashtëzakonshëm që Kosova, Universiteti i Prishtinës e ka të shpërndarë gjithandej nëpër botë. Ky potencial ne duhet të jemi të vetëdijshëm që ka një afat skadence dhe që ta shfrytëzojmë momentumin që ta bëjmë më të mirën e mundshme duke e lidhur këtë potencial akademik që e kemi të shpërndarë, por edhe të dëshmuar gjithandej nëpër universitete me renome botërore, që ta lidhim me Universitetin e Prishtinës, me vendin tonë dhe që të zhvillojmë programe, projekte kërkimore, zhvillimore së bashku”, tha ai.

Poshtu, Hajrullahu tha se ndër qendrat e zhvilluara në Universitetin e Prishtinës, është edhe ajo për studime të avancuara, e cila do të jetë adresë e parë e profesorëve.

“Ne kemi zhvilluar disa qendra brenda Universitetit të Prishtinës dhe njëra ndër to është edhe qendra për studime të avancuara, e cila do të jetë adresa e parë e këtyre profesorëve gjithandej nëpër botë dhe të tentojmë që, sa herë do të jenë fizikisht në Universitetin e Prishtinës, që të jenë të akomoduar brenda kësaj qendre, pavarësisht për çfarë drejtimi punojnë. Ne kemi profesorë që janë në fushën e shkencave kompjuterike, kemi profesorë që janë në fushat e shkencave të mjekësisë, deri tek shkencat shoqërore e humane, pra paleta është gjithëpërfshirëse. Shpresoj që numri i të asociuarve me Universitetin e Prishtinës prej diasporës akademike do të vijë e do të rritet, po edhe me këtë numër që e kemi, në qoftë se s’gabohem deri më tani janë nëntë gjithsej, kemi një bazë të mjaftueshme që vërtet me kapitalizuar”, tha ai

Kurse, Elis Badalli, drejtor për diaspor nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, tha se ky forum shërben për krijimin e partneriteteve të reja, frymëzimin e brezave të rinj dhe bashkëpunim mes diasporës dhe institucioneve vendore.

“Ky forum padyshim që është një urë lidhëse që lidh dijen me zhvillimin, përvojën ndërkombëtare dhe nevojat e Kosovës dhe njërëzit që të ndërtojë një strategji më të mirë për të ardhmen. Prandaj, le ta shfrytëzojmë këtë forum për të krijuar partneritete të reja, për të frymëzuar brezat e rinj dhe për ta bërë bashkëpunimin ndërmjet diasporës akademike dhe institucioneve tona gjithnjë e më të qëndrueshëm.

Si institucion, padyshim që kemi përgjegjësi të këtyrë mekanizmave të bashkëpunimit të mos mbetet vetëm në nivel të takimeve, por të shndërrohet në një rrjet të qëndrueshëm bashkëpunimi ku dija, përvoja dhe inovacioni qarkullojnë lirshëm mes Kosovës dhe diasporës”, tha ai.

Krenare Loxha, nga  Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), prezantoi tri faza me të cilat mund të zhvillohet edhe më tej qendra për studime të avancuara.

“Ajo që kemi ose po propozojmë në këtë rast për Universitetin e Prishtinës, qendrën për studime të avancuara, është që ky njësit me u zhvillu në një qasje me faza. Shumë të vetëdijshëm që një gjë e tillë merr kohë, përpos resurseve edhe financiare dhe njerëzore merr kohë. Realisht faza e parë dhe e dytë dhe e tretë i mbulon pak a shumë deri në gjashtë vite dhe më tej, ku faza e parë fokusohet vetëm në ndërtimin ose zhvillimin institucional të njësitit dhe të qeverisjes, dhe krijimit të partneriteteve strategjike. Është shumë me rëndësi, edhe e kemi cekur gjatë të gjithë konceptit, që UP-ja me qenë komplet pronar të këtij njësiti, dhe realisht një qeverisje me e reflektu ose zhvillimi i kësaj strukture të qeverisjes me e reflektu këtë. Faza e dytë është më shumë një fazë pilotuese, ku ato që i përmenda më herët, mënyrat sesi e angazhojnë edhe lidhin diasporën, kishin me u pilotu, qoftë këto programet e mentorshipit ose rrjetizimi akademik. Idealisht në këtë fazë, gjatë kësaj, po ashtu punohet me një databazë të akademisë, diasporës akademike. Pra, platformë e cila mbetet me qendrën për studime të avancuara, me njësitin për migrim dhe diasporë si një lloj lideri në këtë aspekt. Ndërsa faza e tretë e parasheh që ky njësit dhe qendra për studime të avancuara veç janë të zhvillume shumë mirë, e kanë një strukturë qeverisëse e cila funksionon dhe kanë një metodë, mënyrë të financimit e cila është mirë e menaxhueshme”, tha ajo.

Të ngjashme