Këngëtarja Mariah Carey po planifikon të rikthejë turneun e saj të famshëm të Krishtlindjeve në Evropë për herë të parë pas tetë vjetësh, ka shkruar The Sun.
Burime pranë këngëtares bëjnë të ditur se turneu pritet të përfshijë koncerte në “The O2” në Londër dhe “Co-op Live” në Manchester, ndërsa një njoftim zyrtar pritet së shpejti.
“Kanë kaluar shumë vite që kur fansat në Britani patën mundësinë ta shihnin Mariahn të interpretonte hitet e saj festive. Pas vitesh me koncerte vetëm në SHBA, ajo është gati të shpallë një turne të plotë evropian për Krishtlindje”, ka thënë një burim për The Sun.
Carey ka performuar për herë të fundit në Britani në verën e vitit 2025, në një koncert në Royal Sandringham Estate.
Përveç këngëve të njohura festive, fansat mund të dëgjojnë edhe materiale të reja. Këngëtarja 56-vjeçare ka zbuluar në muajin mars se është rikthyer në studio.
“Po incizoj muzikë të re dhe jam shumë e emocionuar. Shpresoj që publikut t’i pëlqejë”, ka thënë ajo.
Ylli ka konfirmuar gjithashtu se dëshiron të publikojë versionin e plotë të albumit të saj të papublikuar “Someone’s Ugly Daughter”, edhe pse ende nuk ka një datë të caktuar.
Ndërkohë, ajo po përgatit edhe një ribotim special me rastin e 25-vjetorit të filmit dhe albumit “Glitter”.
Ani pse filmi dështoi në arkëtime në vitin 2001, kolona zanore fitoi status kult ndër vite falë mbështetjes së fansave.
“Dikur e urreja ‘Glitter’. Pyesja veten pse e bëra. Por me kalimin e kohës mësova ta dua. Mori jetën e vet”, u shpreh Carey.