Një pasagjer 29-vjeçar, shtetas gjerman, dyshohet se në fillim të muajit qershor, gjatë një fluturimi nga Turqia për në Dyseldorf, ka goditur me shuplakë një stjuardesë, raporton Bild.
Sipas dëshmitarëve, ai kishte refuzuar të ulej pranë një gruaje dhe e justifikoi këtë duke iu referuar Sheriatit.
Situata u përshkallëzua kur stjuardesa u konfrontua me të. Sipas policisë, pasagjeri u bë fizikisht agresiv dhe e goditi atë.
Ndërkaq, pas aterimit të avionit në aeroportin e Dyseldorfit, u njoftua Policia Federale Gjermane, e cila regjistroi rastin dhe ngriti kallëzim për lëndim trupor.
“Sipas dëshmive të para, burri iu referua Sheriatit dhe refuzoi të ulej pranë një gruaje”, ka thënë një zëdhënës i Policisë së Dyseldorfit.
Sipas Bildit, i dyshuari e ka pranuar veprimin gjatë marrjes në pyetje nga policia. Ai është shtetas gjerman me origjinë nga Turqia.
Sheriati, të cilit thuhet se iu referua pasagjeri, është një sistem juridik islam që në shumë vende me shumicë myslimane, si Arabia Saudite, Irani ose Afganistani, shërben si bazë e legjislacionit.
Interpretimi i Sheriatit ndryshon shumë, duke filluar nga qasje më të moderuara deri te interpretimet shumë kufizuese, mirëpo në vendet perëndimore, Sheriati nuk ka fuqi ligjore, shkruan Blick.