Lidhja e Bizneseve të Kosovës kërkon reagim urgjent për dëmet e shkaktuara në bujqësi nga breshëri

Prishtinë | 21 Kor 2026 | 18:00 | Nga Ekonomia Online

Lidhja e Bizneseve të Kosovës shpreh shqetësimin e saj të thellë për dëmet e mëdha të shkaktuara në sektorin e bujqësisë si pasojë e reshjeve të breshërit në disa zona të vendit, duke prekur rëndë fermerët, prodhuesit vendorë dhe ekonominë familjare të shumë qytetarëve.

Bujqësia është një ndër shtyllat kryesore të ekonomisë së Kosovës dhe çdo dëm i shkaktuar në këtë sektor kërkon reagim të shpejtë dhe konkret nga institucionet.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës kërkon nga kryetarët e komunave dhe Qeveria e Republikës së Kosovës që menjëherë të angazhohen në terren për vlerësimin e dëmeve, të krijojnë komisione profesionale për evidentimin e pasojave dhe të ndërmarrin masa konkrete për mbështetjen financiare të fermerëve të prekur.

Në këto momente, fermerët nuk kanë nevojë për deklarata politike, fotografi në terren apo garë mediatike se kush po shfaqet më shumë para kamerave. Ata kanë nevojë për mbështetje reale, kompensim të dëmeve dhe veprime konkrete institucionale.

Institucionet duhet të tregojnë përgjegjësi duke i ndarë mjetet e nevojshme dhe duke u dalë në ndihmë atyre që kanë humbur mundin dhe investimet e tyre të një viti të tërë.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e prodhuesve vendorë dhe kërkon që mbështetja ndaj bujqësisë të mos mbetet vetëm në deklarata, por të shndërrohet në veprime konkrete.

Të ngjashme