Delegacioni i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës (LBK) zhvilloi një takim të rëndësishëm me Mathieu Fleury, Drejtor Gjeneral të CCI France Suisse – (Chambre de Commerce France Suisse), në kuadër të angazhimeve për fuqizimin e prezencës së bizneseve dhe produkteve kosovare në tregjet ndërkombëtare.
Përmes një komunikate për media është bërë e ditur se në fokus të takimit ishte hapja e mundësive konkrete për produktet “Made in Kosova”, përmes organizimit të forumeve ekonomike, takimeve B2B, prezantimeve të kompanive dhe krijimit të kontakteve të drejtpërdrejta ndërmjet bizneseve kosovare, zvicerane dhe franceze.
LBK dhe CCI France Suisse diskutuan mundësinë e krijimit të urave të reja të bashkëpunimit që do t’u mundësonin kompanive kosovare qasje më të drejtpërdrejtë në tregjet e Zvicrës dhe Francës, duke promovuar kapacitetet prodhuese, shërbimet dhe potencialin eksportues të Kosovës.
Ky takim synon të shndërrojë lidhjet institucionale në mundësi konkrete për bizneset kosovare – më shumë kontakte, më shumë partneritete dhe më shumë hapësirë për produktet e Kosovës në tregjet evropiane.
Delegacioni i LBK-së përbëhej nga:
Besart Dreshaj – Kryetar i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Hashim Deshishku – Nënkryetar i LBK-së
Xhavit Islami – Koordinator i LBK-së për Gjenevë/Zvicër
Tahir Shabani – Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim – Francë dhe Gjenevë
Takimi në forumet e OBT dhe më përfaqësuesit e ndryshem të ekonomisë, përfaqësojnë një tjetër hap në diplomacinë ekonomike të sektorit privat të Kosovës, me synim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, rritjen e eksporteve dhe krijimin e mundësive të reja për kompanitë kosovare në tregjet e zhvilluara evropiane.