Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka hedhur poshtë pretendimet për punësimin e familjarëve në ambasada, të cilat janë raportuar ditëve të fundit, duke i cilësuar ato si të pasakta. Në një përgjigje për Ekonomia Online, MPJD ka dhënë sqarime lidhur me procesin e rotacionit diplomatik, përzgjedhjen e zyrtarëve dhe kriteret e dërgimit të tyre në misionet diplomatike e konsullore.
Në përgjigjen e saj, Ministria ka theksuar se raportimet dhe sulmet politike kanë paraqitur një pasqyrë të shtrembëruar të procesit, duke mohuar se bëhet fjalë për punësime të reja.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) hedh poshtë pretendimet e pasakta të paraqitura ditëve të fundit lidhur me procesin e rotacionit në Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës. Sulmet politike dhe një pjesë e raportimeve mediatike kanë përcjellë një pasqyrë të shtrembëruar të këtij procesi, veçanërisht sa i përket natyrës së tij, përzgjedhjes së zyrtarëve dhe zbatimit të kriterit për kohëzgjatjen e shërbimit”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për Ekonomia Online.
Ministria ka bërë të ditur se në kuadër të ciklit të rotacionit diplomatik, i cili ka nisur në mars të vitit 2026, janë marrë vendime për dërgimin e 54 zyrtarëve në misione diplomatike. Sipas MPJD-së, të gjithë këta zyrtarë kanë qenë të punësuar në këtë ministri para fillimit të mandatit aktual të ministrit Glauk Konjufca.
“Rotacioni diplomatik është pjesë e funksionimit të rregullt të Shërbimit të Jashtëm dhe shërben për përmbushjen e nevojave të përfaqësive diplomatike e konsullore për personel profesional. Në kuadër të këtij cikli, të nisur në mars të vitit 2026, janë marrë vendime për dërgimin e 54 zyrtarëve në misione. Të gjithë këta zyrtarë kanë qenë të punësuar në MPJD përpara fillimit të mandatit aktual të ministrit. Rrjedhimisht, paraqitja e këtij rotacioni si proces punësimesh të reja është e pabazuar”, thuhet në përgjigje.
MPJD ka sqaruar edhe mënyrën e përzgjedhjes së zyrtarëve, duke bërë të ditur se vlerësimi i kandidaturave është realizuar nga një komision i posaçëm profesional, i themeluar me nismën e ministrit dhe me vendim të Sekretarit të Përgjithshëm.
Sipas Ministrisë, komisioni ka pasur përbërje jopolitike dhe është përbërë nga ambasadorë dhe drejtues departamentesh të strukturave profesionale të MPJD-së.
“Vlerësimi i kandidaturave është kryer nga një komision i posaçëm profesional, i themeluar me nismën e ministrit dhe me vendim të Sekretarit të Përgjithshëm. Komisioni ka pasur përbërje jopolitike, me ambasadorë dhe drejtues departamentesh nga strukturat profesionale të MPJD-së. Ai ka shqyrtuar të gjitha kandidaturat në mënyrë të drejtë e të paanshme, sipas të njëjtave kritere të shpallura paraprakisht dhe pa ndikime personale, politike apo partiake”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Tutje, MPJD ka bërë të ditur se para marrjes së vendimeve, komisioni ka zhvilluar konsultime edhe me drejtorët e departamenteve përkatëse, të cilët, sipas saj, kanë dhënë vlerësime pozitive për kandidaturat e shqyrtuara.
Ministria ka theksuar se vendimet për dërgimin e zyrtarëve në misione janë mbështetur në rekomandimet e komisionit, ndërsa ministri i ka nënshkruar ato në kuadër të kompetencave ligjore.
“Para marrjes së vendimeve, komisioni, i përbërë nga shërbyes civilë dhe diplomatë të karrierës, ka zhvilluar konsultime edhe me drejtorët e departamenteve përkatëse të MPJD-së, të cilët kanë dhënë vlerësime pozitive për kandidaturat e shqyrtuara. Të gjitha vendimet për dërgimin e zyrtarëve në misione janë mbështetur në rekomandimet e komisionit, të hartuara mbi bazën e vlerësimit të secilës kandidaturë. Ministri i ka nënshkruar këto vendime në ushtrim të kompetencave të tij ligjore. Pretendimet për përzgjedhje sipas preferencave personale të ministrit shpërfillin procedurën e ndjekur dhe vlerësimin profesional mbi të cilin është mbështetur vendimmarrja”, thuhet më tej në përgjigjen e MPJD-së.
Një tjetër çështje për të cilën Ministria ka dhënë sqarime është kriteri i një viti shërbim efektiv, për të cilin ka thënë se duhet bërë dallimi mes momentit të përzgjedhjes së zyrtarëve dhe fillimit të ushtrimit të detyrës në misionet diplomatike.
Sipas MPJD-së, shpallja e brendshme për shprehje interesi ka përcaktuar 31 dhjetorin e vitit 2026 si afat për përmbushjen e këtij kriteri, ndërsa vendimet individuale parashohin që zyrtarët të fillojnë detyrën në mision vetëm pasi ta kenë plotësuar një vit shërbim efektiv.
“Sa i përket kriterit për një vit shërbim efektiv, duhet dalluar momenti i përzgjedhjes nga fillimi i ushtrimit të detyrës në mision. Shpallja e brendshme për shprehje interesi ka përcaktuar datën 31 dhjetor 2026 si afatin për përmbushjen e këtij kriteri. Për secilin zyrtar të përzgjedhur, vendimi individual e parasheh fillimin e detyrës në mision vetëm pas plotësimit të një viti shërbim efektiv. Pra, përmbushja e kësaj periudhe është kusht për marrjen e detyrës në mision, dhe pretendimet se diplomatët janë dërguar në misione pa e kompletuar këtë periudhë njëvjeçare nuk qëndrojnë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
MPJD e ka cilësuar këtë cikël si një nga proceset më të mëdha dhe më transparente të rotacionit diplomatik në historinë e saj, duke pretenduar se të gjitha fazat janë dokumentuar dhe se procesi është zhvilluar në mënyrë transparente.
“Ky cikël përbën një nga proceset më të mëdha dhe më transparente të rotacionit diplomatik në historinë e MPJD-së. Procesi është zhvilluar në mënyrë transparente dhe me dokumentim të plotë të çdo faze, nga shpallja paraprake e kritereve dhe shqyrtimi i kandidaturave deri te hartimi i rekomandimeve dhe marrja e vendimeve përkatëse. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të vijojë ta mbështesë vendimmarrjen në kritere të qarta dhe në vlerësimin profesional të kandidaturave. Përfaqësimi dinjitoz i Republikës së Kosovës dhe mbrojtja e interesit shtetëror mbeten qëllimi që udhëheq organizimin dhe funksionimin e Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës”, thotë përgjigjja e MPJD-së për Ekonomia Online.
Gjatë ditëve të fundit janë publikuar raportime lidhur me emërimet dhe caktimet në pozita diplomatike të disa personave që pretendohet se kanë lidhje familjare apo politike me figura të pushtetit dhe të partive në koalicionin qeverisës.
Në mesin e rasteve të raportuara është emërimi i Fitore Mehmetit, motrës së Festim Mehmetit, kandidat i Guxo-s në zgjedhjet lokale, e cila me gradën diplomatike Sekretare e Parë është caktuar në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Strasburg të Francës.
Po ashtu, është raportuar për emërimin e Hashim Sahitit, vëllait të ish-kandidates së Lëvizjes Vetëvendosje, Samire Sahiti, në Ambasadën e Kosovës në Doha të Katarit, si dhe të Njazi Ajvazit, ish-anëtar i Kryesisë së Listës Guxo në Mitrovicë, në pozitën e Sekretarit të Dytë në Konsullatën e Kosovës në Kopenhagë të Danimarkës.
Raportimet kanë përfshirë edhe emërimin e Rinës Dragidella, mbesës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në pozitën e Sekretares së Dytë në Ambasadën e Kosovës në Uashington, si dhe të Fitore Dalipit, vajzës së axhës së Luan Dalipit, ish-shefit të kabinetit të kryeministrit Albin Kurti, në Ambasadën e Kosovës në Berlin.
Në mesin e emërimeve të raportuara është edhe ai i Vera Rexhepi Lecit, e cila është caktuar konsulle e Kosovës në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe që, sipas raportimeve, është bashkëshortja e Burim Lecit, bashkëpunëtor i Luan Dalipit.