Kosova rrezikon të humbë mbi 100 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, nëse deri në fund të këtij viti nuk arrin t’i përmbushë hapat reformues që kanë mbetur nga periudha 2024–2025.
Kështu ka vlerësuar hulumtuesi i lartë dhe menaxheri i programit në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Qemajl Marmullakaj, në një intervistë për Ekonomia Online i cili ka thënë se këto reforma përfshijnë obligime ligjore që duhet të zbatohen nga Kuvendi i Kosovës.
Sipas tij, moszbatimi i tyre do të nënkuptonte jo vetëm humbje të mjeteve financiare të alokuara nga Bashkimi Evropian, por edhe ngecje në zbatimin e reformave të nevojshme për vendin.
“Po, deri në fund të këtij viti Kosova duhet të përmbushë 27 hapa që kanë mbetur për nga viti 2024-2025, të cilët e kanë periudhën skaduese deri në fund të këtij viti. Duhet pasur parasysh që Plani i Rritjes është një nga mekanizmat më inovativë të Bashkimit Evropian, pasi që mundëson zbatimin e vlerave të Bashkimit Evropian, mundëson zbatimin e reformave që janë shumë të nevojshme për qytetarin, por njëkohësisht edhe përfitohet nga fondet që janë alokuar nga Bashkimi Evropian, përkundër çdo reforme. Të 27 hapat janë obligime ligjore të cilat duhet të zbatohen nga Kuvendi i Kosovës dhe nëse ato nuk zbatohen, atëherë krejt thjesht humbim në zbatimin e vlerave të Bashkimit Evropian, humbim në zbatimin e reformave shumë të nevojshme për vendin, po ashtu edhe humbim mjete shumë të nevojshme për buxhetin e vendit edhe të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Marmullakaj ka veçuar edhe Kodin Civil, miratimi i të cilit është pjesë e agjendës së reformave të dakorduara me Bashkimin Evropian.
Ai ka paralajmëruar se mosmiratimi i tij mund t’i kushtojë Kosovës mbi gjashtë milionë euro.
“Po, në rast të mosmiratimit të Kodit Civil, atëherë duhet pasur parasysh si fillim që Kodi Civil, si parim i përgjithshëm është i përfshirë në kuadër të agjendës së reformave të Planit të Rritjes, agjendë e cila është dakorduar me Bashkimin Evropian. Edhe parimet se si duhet dhe çfarë duhet të ngërthejnë Kodi Civil, janë të përfshira në kuadër të agjendës së reformave. Moszbatimi i tij na kujton që përveç faktit që nuk do të kemi legjislacionin civil të kodifikuar në një instrument ligjor, do të pasojë edhe me humbjen e një shume të caktuar të mjeteve, që kujtoj që është mbi 6 milionë euro, të cilat janë të dedikuara vetëm për miratimin e Kodit Civil”, tha ai për Ekonomia Online.
Ai ka thënë se 27 reformat e parapara deri në fund të vitit kanë vlerë mbi 165 milionë euro, ndërsa ka rikujtuar se Kosova tashmë ka humbur rreth 50 milionë euro për shkak të mosrealizimit të reformave në afatin e qershorit.
“Janë te 27 reformat që janë të parapara deri në fund të këtij viti, shkojnë në vlerë mbi 165 milionë euro. Duke marrë parasysh që ne veç kemi humbur rreth 50 milionë euro në afatin e qershorit, tani nëse nuk zbatohen këto reforma, ne rrezikojmë të humbim shuma të mëdha të mjeteve që kalojnë përmbi 100 milionë euro, pasi që kujtoj që një numër i reformave do ishte dashur të zbatoheshin në një formë apo tjetër”, tha ai.
Të hënën kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian dhe koordinatori kombëtar për Planin e Rritjes, Jeton Zulfaj, ka bërë të ditur se Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes, si pasojë e mospërmbushjes së gjashtë hapave reformues brenda afatit të qershorit 2026.
