Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se më 22 korrik 2026 nuk do të ketë kufizime të qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.
Sipas Ministrisë, bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave, për ditën e nesërme nuk pritet të plotësohen kushtet e përcaktuara në vendimin për zbatimin e kufizimeve të përkohshme të qarkullimit për shkak të temperaturave të larta.
Institucioni ka bërë të ditur se do të vijojë monitorimin e përditshëm të parashikimeve meteorologjike dhe do të njoftojë në kohë qytetarët dhe operatorët ekonomikë në rast se do të plotësohen kushtet për aktivizimin e masave kufizuese.
Vendimi për kufizimin e përkohshëm të qarkullimit zbatohet vetëm në rastet kur temperaturat arrijnë nivelet e përcaktuara nga autoritetet dhe synon mbrojtjen e infrastrukturës rrugore gjatë periudhave me vapë ekstreme.