Zgjatet afati për aplikim në Programin e Pagesave Direkte 2026 deri më 31 korrik

Prishtinë | 23 Kor 2026 | 14:26 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) ka vendosur të zgjasë edhe për 10 ditë afatin për aplikim në Programin e Pagesave Direkte 2026, duke u dhënë fermerëve më shumë kohë për të përfunduar procedurat e aplikimit.

Sipas njoftimit të ministrisë, afati shtesë ka hyrë në fuqi më 22 korrik dhe do të zgjasë deri më 31 korrik 2026, në ora 16:00. Aplikimet vazhdojnë të dorëzohen në Drejtoritë Komunale për Bujqësi në komunat përkatëse.

Programi i Pagesave Direkte 2026 është hartuar në përputhje me harmonizimin gradual me Politikat e Përbashkëta Bujqësore të Bashkimit Evropian (CAP) dhe përfshin katër shtylla kryesore të mbështetjes: pagesën bazë për të ardhura sipas sipërfaqes, pagesat rishpërndarëse për hektarët e parë të fermës dhe fermerët e rinj, pagesat e lidhura me prodhimin dhe cilësinë për sektorët prioritarë të bujqësisë dhe blegtorisë, si dhe eko-skemat për prodhimin organik dhe praktikat e qëndrueshme bujqësore.

MBPZhR u bën thirrje fermerëve që ende nuk kanë aplikuar të shfrytëzojnë këtë afat shtesë dhe të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm sipas kategorisë së mbështetjes për të cilën aplikojnë.

Ministria rikujton se kriteret e pranueshmërisë dhe dokumentacioni ndryshojnë sipas sektorëve dhe masave mbështetëse, ndërsa gjatë kontrolleve administrative dhe atyre në terren do të zbatohen dispozitat e Udhëzimit Administrativ Nr. 02/2026 për Pagesat Direkte në Bujqësi.

Të ngjashme