Benita thyen heshtjen pas Big Brother: Më është bërë padrejtësi, ndoshta e meritoja edhe fitoren

Prishtinë | 23 Kor 2026 | 16:23 | Nga Ekonomia Online

Benita Zena ka reaguar për herë të parë pas përfundimit të rrugëtimit të saj në Big Brother, duke folur për eliminimin pak para finales dhe për mbështetjen e madhe që mori nga publiku.

Në një intervistë për emisionin “Artistët Shqiptarë”, e pyetur nga moderatori Butrint Pasjaqa se pse mendon se u eliminua në një moment kur po fitonte gjithnjë e më shumë simpatinë e publikut, Benita tha se e kishte ndjerë se një skenar i tillë mund të ndodhte.

Ajo tregoi se largimi i saj nuk ishte një surprizë e plotë, pasi gjatë spektaklit kishte vërejtur disa sinjale nga reagimet e publikut.

“Me të treguar të drejtën, nuk ka qenë diçka befasi për mua. E kam pritur deri në një moment. Kur e kam dëgjuar publikun dhe kur Jonida thotë Benita apo Hygerta, kur e kam ndjerë Bugattin, thashë: shkova unë. Kur u zgjat, thashë se me siguri do të ndodhë një padrejtësi”, u shpreh ajo.

Benita tha se, edhe pse nuk arriti të shkonte deri në finale, për të fitorja më e madhe ishte dashuria dhe mbështetja që mori nga publiku.

“E kam marrë zemrën e publikut dhe finalja nuk është asgjë. E kam merituar ndoshta edhe fitoren”, deklaroi ajo.

Gjatë intervistës, ish-banorja foli edhe për dasmën e Klodit dhe Elijonës, një nga momentet që mori vëmendje gjatë qëndrimit të saj në këtë reality show.

Sipas Benitës, në një format si Big Brother emocionet, dramat dhe momentet e forta janë pjesë e natyrshme e lojës.

“Kur je në një reality show, deshe apo nuk deshe, ke hyrë për të bërë show. Njerëzit kur e hapin televizorin duan të shohin skena, drama dhe momente interesante. Asnjë lot nuk ka qenë fals. Ka pasur pak shou dhe pak përnjëmend”, tha ajo.

Benita është shprehur se rrugëtimi i saj në Big Brother i ka dhënë një lidhje të fortë me publikun, të cilën e konsideron një arritje të rëndësishme, pavarësisht se nuk arriti të jetë pjesë e finales.

Të ngjashme