Një euro u këmbye këtë javë me vetëm 93.62 lekë, niveli më i ulët historik kundrejt monedhës shqiptare.
Në teori, një lek më i fortë do të duhej t’i bënte më të lira mallrat e importuara, t’i ulte kostot për bizneset dhe të rriste fuqinë blerëse të qytetarëve.
Por, në Shqipëri, ndodh e kundërta.
Çmimet e ushqimeve vazhdojnë të mbeten ndër më të lartat në rajon, eksportuesit ankohen se po humbasin konkurrueshmërinë, ndërsa ekonomistët vënë në pikëpyetje nëse shpjegimet zyrtare mjaftojnë për të kuptuar pse leku është forcuar kaq shumë.
Debati është shndërruar në një përplasje mes Qeverisë, opozitës dhe ekspertëve të ekonomisë.
Qeveria argumenton se forcimi i lekut është rezultat i hyrjes së sasive të mëdha të valutës në ekonomi, të nxitura nga turizmi, investimet e huaja dhe remitencat. Opozita, në anën tjetër, pretendon se kursi i këmbimit ndikohet edhe nga ekonomia joformale dhe pastrimi i parave. Ndërkaq, një pjesë e ekonomistëve thonë se të dhënat zyrtare nuk e shpjegojnë plotësisht këtë fenomen dhe kërkojnë një analizë më të thellë të burimeve të valutës që hyn në vend.
Për kryeministrin Edi Rama, nuk është euroja ajo që është dobësuar, por leku që është forcuar.