Zjarr në bregdetin e Italisë, evakuohen turistët

Prishtinë | 26 Kor 2026 | 20:46 | Nga Ekonomia Online

Rojet bregdetare italiane njoftuan të dielën se kanë evakuuar me anë të detit më shumë se 400 persona për shkak të një zjarri që ka përfshirë komunën Peschici, në rajonin e Pulias, në jug të Italisë.

“Deri tani, më shumë se 400 turistë dhe pushues janë evakuuar përmes detit, e cila ishte rruga e vetme e mundshme për largim”, njoftoi Rojet Bregdetare në kanalin e saj në WhatsApp të dielën pasdite.

Një zëdhënës i këtij institucioni tha për agjencinë AFP se pritet të evakuohen edhe rreth 300 persona të tjerë.

“Operacionet janë ende duke vazhduar dhe në to janë përfshirë gjashtë anije të Rojes Bregdetare, tri anije të Rojes Doganore, si dhe rreth dhjetëra varka private që po përdoren për transportin e njerëzve dhe për të mbështetur operacionet e shpëtimit”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë automjete zjarrfikëse dhe një avion “Canadair” që po luftojnë me flakët.

Zjarri aktualisht nuk paraqet kërcënim për banesat, por një re e madhe tymi mund të shihet nga larg, madje edhe në një distancë prej disa dhjetëra kilometrash.

“Po presim mbërritjen e avionit ‘Canadair’ nga Roma. Situata aktualisht është nën kontroll”, tha kryetari i komunës së Peschicit, Luigi d’Arenzo, për gazetën lokale La Gazzetta del Mezzogiorno.

Të ngjashme