Prindërit mirëpresin subvencionet për libra, por thonë se nuk mjaftojnë për shpenzimet shkollore

Prishtinë | 29 Kor 2026 | 07:50 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Arsimit dhe Shkencës të hënën ka hapur aplikimin për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit e klasave 1–9, një masë që synon lëhtësimin e barrës financiare në prag të vitit të ri shkollor.

Prindërit e vlerësojnë këtë mbështetje si të dobishme, por kërkojnë që subvencionimi të përfshijë edhe shpenzime të tjera shkollore, raporton Ekonomia Online.

Fatmir Zhurri vlerëson se subvencionimi për tekstet shkollore është një ndihmë e mirë për familjet, por thotë se shuma nuk është e mjaftueshme për të përballuar të gjitha shpenzimet që lidhen me fillimin e vitit shkollor.

Ai kujton se vitin e kaluar kishte përfituar 100 euro, ndërsa shton se ende nuk e ka të qartë se sa do të jetë mbështetja këtë vit.

“Po kam aplikuar për qikën tem. Nuk është e mjaftueshme, po bën. Tekstet po. Vjet kemi marrë 100 euro, mirë ka qenë. Tash nuk e di sa është, ende nuk është e qartë”, tha Zhurri.

Sipas tij, ndihma aktuale mbulon tekstet dhe pjesërisht mjetet shkollore, por nuk është e mjaftueshme për nevojat e tjera të familjeve.

“Nuk është e mjaftueshme në përgjithësi. Për libra po, por për gjëra të tjera jo. Jemi të moshuar, nuk jemi të punësuar. As gruaja nuk është e punësuar. Nuk është e mjaftueshme për askënd domethën për libra po, për mjete po, për gjëra tjera jo, për më shumë jo”, u shpreh ai.

Zhurri kërkon që mbështetja financiare të zgjerohet dhe të përfshijë edhe shpenzime të tjera, si çantat dhe pajisjet e nevojshme për nxënësit.

“Për çanta dhe për gjithçka që ka nevojë një fëmijë duhet të shtohet mbështetja. Kur lëshohet një shumë, duhet të jetë për të gjitha gjërat, jo vetëm për libra”, deklaroi Zhurri.

Ndërsa, Shaqir Aliukaj thotë se subvencionet për tekstet shkollore janë një mbështetje e mirë për familjet, por thotë se ato nuk janë të mjaftueshme për të përballuar të gjitha shpenzimet që i kanë prindërit në fillim të vitit shkollor.

“Për fëmijët është boll e mirë me i ndihmuar për me i ble tekstet shkollore. Është më mirë edhe për prindërit edhe për nxënësit”, tha Aliukaj.

Ai shtoi se subvencioni mund të jetë i mjaftueshëm për një pjesë të shpenzimeve, por jo për të gjitha nevojat që kanë nxënësit gjatë vitit shkollor.

“Ndoshta diku mjafton, por jo për krejt. Ndoshta mbulon afërsisht tekstet, por jo gjithçka”, u shpreh ai.

Aliukaj theksoi se prindërit vazhdojnë të përballen me shpenzime të tjera, si fletoret, çantat, veshmbathjet dhe udhëtimet, ndaj kërkon që mbështetja të jetë më e madhe.

“Prindi duhet me i ndihmuar edhe për fletore, për çanta, për veshmbathje e për gjëra të tjera që duhen për shkollë. Një subvencion i vogël nuk mundet me i mbuluar krejt shpenzimet e vitit shkollor. Për tekste ndoshta mjafton, por me atë shumë nuk mund të blihen edhe çantat e të gjitha gjërat e tjera”, shtoi Aliukaj.

Kurse Zymer Magori thotë se nuk përfiton nga subvencionimi për tekstet shkollore, pasi fëmijët e tij tashmë janë rritur, ndërsa nipërit ende nuk kanë filluar shkollën. Megjithatë, ai vlerëson se mbështetja financiare për tekstet është një ndihmë e mirë për prindërit.

“Jo, nuk kam fëmijë, fëmijët janë rritur tash. Kam vetëm disa nipa që ende nuk janë bërë për shkollë, kështu që nuk përfitoj subvencionim”, tha Magori.

Ai kujton se gjatë kohës kur punonte në arsim, shpërndarja e teksteve bëhej drejtpërdrejt në shkolla dhe, sipas tij, ai sistem ka qenë më funksional.

“Unë kam dalë në pension nga arsimi. I merrnim listat e nxënësve dhe, para se të fillonte viti shkollor, na i sillte Shtëpia Botuese Dukagjini librat në shkollë. I shpërndanim të gjithë librat për secilin nxënës sipas nevojës. Tash po jepen disa të holla përmes aplikimit në eKosova, sa di unë. Prindërit i marrin ato të holla, disa ua blejnë librat, disa blejnë vetëm librat kryesorë, e disa i gjejnë libra të përdorur. Mendoj se sistemi i mëparshëm ka qenë më i mirë se ky i tre viteve të fundit”, u shpreh ai.

Magori beson se shuma e subvencionit është llogaritur mirë, por shton se familjet kanë edhe shumë shpenzime të tjera në prag të vitit të ri shkollor.

“Besoj që e kanë llogaritur mirë, mirëpo më mirë ka qenë mënyra e mëparshme e punës. Prindërit kanë nevoja të tjera, sidomos në shtator e tetor, kur bëjnë përgatitjet për dimër. Disa nuk arrijnë t’ua blejnë të gjithë librat fëmijëve. Kam dëgjuar edhe shumë mësues e arsimtarë në televizion që janë ankuar për këtë mënyrë. Unë i kam pasur katër fëmijë dhe e di sa kushtonin librat e fletoret. Tash është shumë mirë që Qeveria po i subvencionon tekstet. Ky ligj është i mirë, por mënyra e zbatimit nuk e di sa është e suksesshme”, deklaroi ai.

Sipas Magorit, nëse do të kishte më shumë mjete buxhetore, mbështetja do të duhej të zgjerohej edhe për çantat dhe pajisjet e tjera shkollore. Ai ngriti edhe çështjen e përfitimeve të mundshme nga familjet që jetojnë jashtë vendit.

“Po të kishte buxhet, pse jo, të përfshiheshin edhe çantat. Kam dëgjuar se disa prindër që jetojnë në Zvicër e Gjermani kanë marrë të holla për fëmijët që i kanë të regjistruar këtu, edhe pse jetojnë jashtë. Nuk e di sa është e vërtetë, por ndoshta Ministria është dashur të bëjë një klasifikim më të mirë. Përndryshe, është një lehtësim për prindërit, sepse e dimë sa janë shtrenjtuar gjërat. Vetëm librat kushtojnë diku rreth 100 euro”, tha Magori.

Aplikimi do të realizohet përmes platformës eKosova dhe do të jetë i hapur për një periudhë prej dy javësh: 27 korrik – 9 gusht 2026.

Mjetet financiare do të transferohen drejtpërdrejt në xhirollogarinë bankare të prindit/aplikuesit.

Të ngjashme