Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka përfunduar një inspektim në qendrën e monitorimit të kamerave të sigurisë të Policisë së Kosovës në kryeqytet, duke konstatuar se, deri në këtë fazë, nuk janë evidentuar shkelje të privatësisë.
Sipas gjetjeve paraprake, sistemi përdoret në përputhje me bazën ligjore për garantimin e sigurisë publike dhe mbikëqyrjen e trafikut.
Udhëheqësi i Divizionit për Shqyrtim të Ankesave në AIP, Arbian Arifi tha për Ekonomia Online se Policia e Kosovës nuk përpunon të dhëna biometrike.
“Po. Agjencia për Informim dhe Privatësi, në kuadër të autorizimeve ligjore që i ka për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, kemi planifikuar një inspektim të bëhet në qendrën e monitorimit të sistemit të vëzhgimit me kamera, të cilat janë të vendosura në kryeqytet nga ana e Policisë së Kosovës.
Me këtë rast, ne kemi inspektuar mënyrën se si bëhet ky vëzhgim me kamera, si përpunohen të dhënat, cila është kategoria e të dhënave që përpunohen nga ana e policisë, cili është qëllimi i këtij vëzhgimi. Dhe inspektimin që e patëm e vërtetuam se Policia e Kosovës, në bazë të autorizimeve ligjore që i ka vetë, i ka vendosur kamerat për fillimisht për çështje të sigurisë publike, pastaj edhe ligjin mbi trafikun i lejon që policia të përdorë mjete elektronike për të mbikëqyrur trafikun rrugor.
Dhe në këtë rast ne kemi konstatuar që Policia e Kosovës përpunon të dhëna personale, mirëpo çka është me rëndësi për publikun me e sqaruar që Policia e Kosovës me këtë rast nuk përpunon të dhëna biometrike, të cilat kemi parë shpesh… kemi pranuar edhe pyetje nga gazetarët, që këto të dhëna biometrike nuk përpunohen nga ana e Policisë së Kosovës, për shkak se nuk e kanë bazën ligjore për një gjë të tillë dhe në këtë fazë nuk i nevojitet një gjë e tillë.
Deri më tani kemi parë që Policia e Kosovës i ka të implementuara masat e sigurisë të cilat i kërkon ligji ynë, siç janë ato gjurmueshmëria e veprimeve që bëhen në sistem, cilat kamera përdoren, si bëhet një shqiptim i gjobës, kush ka qasje në ato të dhëna, si bëhet deri te shkarkimi i një fotografije apo i një incizimi nga sistemi. Kemi parë që policia ka edhe rregullore të brendshme të cilat i njofton të gjithë punonjësit policorë se si duhet vepruar në këto raste”, tha ai për Ekonomia Online.
Arifi poashtu theksoi se nuk janë gjetur shkelje për momentin, mirëpo i gjithë inspektimi do të finalizohet me një raport.
“Për momentin nuk kemi gjetur shkelje, mirëpo pas analizimit të inspektimit që kemi bërë, ne do të dalim me një rekomandim ose me një raport, të cilat të gjitha këto procedura që kemi zhvilluar do t’i ndajmë edhe me publikun për të bërë sa më transparent, për shkak se edhe ligji për mbrojtjen e të dhënave personale e kërkon që transparenca është një nga parimet kryesore të ligjit tonë, që edhe qytetarët tanë, edhe ne si qytetarë, të jemi të informuar se si bëhet ky përpunim i të dhënave personale, edhe cilat të dhëna merren, cilat nuk merren, cilat janë në harmoni me ligjin dhe cilat nuk janë. Deri më tani ne nuk pamë ndonjë çështje e cila ka shkelje të ligjit tonë, mirëpo në fund do të dalim me një raport përfundimtar”, tha Arifi.

