Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ka reaguar përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, pas vizitës që ka bërë në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut ku po kryhen gërmime pasi dyshohet për mbetje mortore të 23 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit.
Lushtaku, ka shkruar se nga 19 maji i vitit 1999 familjet e tyre dhe shoqëria jonë jetojnë jetojnë me dhembjen e pritjes, ndërsa Kosova mban ende një nga plagët e mëdha të luftës.
“Sot vizituam vendin ku dyshohet se gjenden mbetjet mortore të patriotit Idriz Rreci, doktorit Fatmir Fazlija, profesorit Demir Ahmeti, Shaqir, Samir, Xhemail, Salih, Naser, Zymer, Tahir, Selim, Bekim dhe Xhevdet Mëziut, Sahit Beranit, Ali Halitit, Adem Ademit, Adem Beqirit, Hasan Dërvarit, Shaip, Mahir, Faton, Shkëlzen dhe Nazim Ujkanit”, ka shkruar ai.
Postimi i tij i plotë:
E mërkura e 19 majit 1999 ishte dita e fundit kur u panë të gjallë. Që nga ajo ditë, familjet e tyre dhe shoqëria jonë jetojnë me dhembjen e pritjes, ndërsa Kosova mban ende një nga plagët e mëdha të luftës.
Sot vizituam vendin ku dyshohet se gjenden mbetjet mortore të patriotit Idriz Rreci, doktorit Fatmir Fazlija, profesorit Demir Ahmeti, Shaqir, Samir, Xhemail, Salih, Naser, Zymer, Tahir, Selim, Bekim dhe Xhevdet Mëziut, Sahit Beranit, Ali Halitit, Adem Ademit, Adem Beqirit, Hasan Dërvarit, Shaip, Mahir, Faton, Shkëlzen dhe Nazim Ujkanit.
Ky grup ishte zëri i dijes dhe i atdhedashurisë. Sot kërkojmë të vërtetën dhe drejtësinë por dhe përgjegjësi për autorët e këtij krimi. Me shpresën që ky vend do t’u japë fund viteve të gjata të pritjes dhe se më në fund ata do të kthehen pranë familjeve të tyre, për t’u prehur me dinjitet në tokën e vendlindjes për të cilën dhanë aq shumë.
Lavdi e përjetshme!
SL