Në 25 vjetorin e rënies së Tahir Sinanit, kujtohet jeta dhe sakrifica e komandantit

Prishtinë | 29 Kor 2026 | 19:06 | Nga Ekonomia Online

Me rastin e 25-vjetorit të vrasjes së komandantit Tahir Sinani, u organizua Akademi Përkujtimore në nderim të rënies së tij, raporton Ekonomia Online.

Rrezart Sinani, djali i Tahir Sinanit, tha se sakrifica e babait të tij u ka lënë trashëgimi krenarinë dhe përgjegjësinë për ta çuar përpara idealin e dëshmorëve deri në përmbushjen e amanetit të tyre.

“Kur babai mori rrugën drejt pavdekësisë, ishim shumë të vegjël për ta kuptuar madhështinë e sakrificës së tij. Por me kalimin e viteve, teksa u rritëm, mësuam çdo ditë e më shumë peshën, vlerën dhe kuptimin e atij rrugëtimi. Kuptuam se ai nuk na la pas pasuri materiale, por na la pas trashëgiminë më të çmuar që mund t’i lërë një prind fëmijëve të tij, krenarinë, emrin e pastër, nderin dhe respektin. Këto janë pasuri që do t’i mbajmë me dinjitet dhe do t’ua përcjellim brezave që vijnë. Ëndrra dhe ideali i dëshmorëve është rruga e larë me gjak, e shtruar me mund, sakrificë dhe vetëmohim. Është rruga që na obligon të ecim deri në fund, pa u ndalur e pa u lëkundur, deri në realizimin e amanetit të tyre më të madh, bashkimin shpirtëror, kombëtar dhe historik të çdo treve shqiptare. Vetëm atëherë sakrifica e tyre do të marrë kuptimin e plotë dhe gjaku i derdhur për liri do të kthehet në dritë për brezat me radhë”, u shpreh ai.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u shpreh se mobilizimi i Tahir Sinanit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, nuk i shtoi asaj vetëm një luftëtar më shumë, por dikë që njohuritë e tij ua përcolli edhe ushtarëve të tij.

“Me origjinë nga rrethi i Tropojës, Tahir Sinani mori formim prej ushtaraku profesionist, pa e ditur as vetë që ishte duke u përgatitur për disa nga betejat më të lavdishme që do t’i bënin shqiptarët në historinë e tyre moderne. Kur lufta në Kosovë ishte bërë realitet dhe kishte nevojë për të gjithë dhe secilin, Tahir Sinani u angazhua ta kryente detyrën e tij patriotike dhe profesionale. Mobilizimi i Tahir Sinanit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që më 1998 nuk i shtoi UÇK-së thjesht një luftëtar më shumë, por ia solli asaj një nga oficerët më të dobishëm që aftësitë e tij profesionale ua përcolli qindra ushtarëve të tjerë, para se të përfshihej edhe vetë ai në zemër të luftës. Por pavarësisht kësaj, ai refuzoi t’i mbivendosej zinxhirit komandues të ushtarëve që i kishte trajnuar vetë, duke këmbëngulur që fillimisht ta kalonte një sprovë personale, përballjen e parë me forcat armike serbe. Dhe mu kështu edhe ndodhi”, u shpreh Kurti.

Kurti gjithashtu theksoi angazhimet e Sinanit nga lufta në Kosovë në kryengritjen në Preshevë.

“Angazhimin e tij në luftën e Kosovës Tahir Sinani e përmbylli duke qenë në detyrën e komandantit të Zonës Operative të Pashtrikut, teksa në ditët e çlirimit të Kosovës ai hyri triumfalisht në Prizren në krye të ushtarëve të tij. Por vetëm pak kohë pas çlirimit të Kosovës, në Luginën e Preshevës shpërtheu një kryengritje e drejtuar nga Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit e sapoformuar, me pjesëmarrje edhe nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me qëllim çlirimin dhe bashkimin e këtyre tri komunave me Kosovën. Tahir Sinani iu bashkua luftimeve edhe në Preshevë, duke e përcjellë përvojën e tij të freskët nga lufta çlirimtare e Kosovës. Ai besonte thellësisht që çlirimi i Kosovës nga Serbia nuk mund të ishte fundi dhe as trofeu më i lartë i luftës çlirimtare e kombëtare. Andaj nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ai e vazhdoi luftën te Ushtria Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni në vitin 2001”, shtoi ai.

Sadik Halitjaha, ish zëvendëskomandant i Zonës Operative të Pashtrikut, tregoi një pjesë të veprimtarisë së Tahir Sinanit, i cili nuk qëndroi indiferent derisa shqiptarët në Kosovë po vriteshin.

“Tahir Sinani lindi në fshatin Gri të Tropojës së Vjetër, tani Bajram Curr i ri. Shkollën e mesme e kreu drejtimin e bujqësisë në Tropojë. Pastaj vazhdoi në Zall-Herr në ngritjen e tij akademike, profesionale, për t’ju ushtruar dhe ushtruar edhe vetveten në shkollën speciale të ushtrisë shqiptare të asaj kohe që përgatiste një lloj kategorie të marincave shqiptarë në ushtrinë shqiptare. Aty Tahir Sinani e merr titullin instruktor i trajnimeve. Dhe si i tillë, ai jetonte mirë dhe në qetësi përtej kufirit të Kosovës, në Shqipërinë e qetë ku nuk ishte luftë. Ishte rehat me familjen e vet dhe i kënaqur. Mirëpo, ai ishte gjenetikisht stërnip i Mic Sokolit dhe ishte gjak shqiptari. Siç e thoshte edhe vetë: “Unë nuk munda të rri të bëj sehir e të vriteshin vëllezërit e mi në Kosovë.” U përpoq të takojë njerëz nëpër qendrat e trajnimeve në veri të Shqipërisë dhe ra në kontakt me qendrën e furnizimeve të UÇK-së dhe me komandantin e përgjithshëm Azem Syla. Aty mori instruksionet dhe urdhërin për të hyrë në Kosovë. Në Kosovë hyri me një grup jo të madh shumë të ushtarëve që t’i krijojnë një perimetër të sigurisë, por ai sigurinë e kishte në zemër dhe në shpirt, pasi e kishte automatikun në dorë”, tha ai.

Të ngjashme