Ish-banorja e Big Brother VIP Kosova, Selin, ka komentuar së fundmi intervistën që Brikena Selmani zhvilloi me Gretën në emisionin “Top Arena”, duke kritikuar si pyetjet e moderatores, ashtu edhe mënyrën e moderimit.
E ftuar në emisionin “Pushime on Top”, Selin u ndal te momenti kur Brikena e pyeti Gretën nëse ajo dhe ish-banorët e tjerë vazhdonin ende të flisnin për të edhe pas përfundimit të eksperiencës së tyre në reality show.
Sipas Selinit, vetëvlerësimi është i rëndësishëm, por nuk duhet të krijojë bindjen se gjithçka sillet rreth një personi.
“Është në rregull kur e vetëvlerëson veten tënde, por njeriu duhet të qëndrojë me këmbë në tokë. Nëse dikush më ka thënë se bota nuk rrotullohet rreth teje, i kam thënë që e imja rrotullohet rreth meje”, u shpreh ajo.
Megjithatë, Selin tha se pyetja e Brikenës ishte e panevojshme dhe se kishte pritur që Greta t’i përgjigjej ndryshe.
“Çfarë nuk më ka ardhur mirë ishte një pyetje totalisht pa lidhje dhe më vjen keq që Greta nuk i dha përgjigjen që duhej”, deklaroi ajo.
Selin shtoi se, nëse një pyetje e tillë do t’i ishte drejtuar asaj, do të ishte përgjigjur pa hezitim. Ajo ngriti gjithashtu pikëpyetje se përse Brikena kishte zgjedhur ta pyeste Gretën për të, ndërkohë që kishte pasur mundësinë ta pyeste drejtpërdrejt.
“Nëse Brikena do të m’i kishte bërë mua ato pyetje, do t’i kisha dhënë përgjigjen. Nuk e di pse ajo zgjodhi të pyeste dikë tjetër. Në momentin që pyet dikë për mua, ndërkohë që mua më ke pasur aty dhe nuk më pyete, ose nuk je e gatshme ta dëgjosh përgjigjen time”, tha Selin.