Autoritetet në Katar kanë deklaruar se përpjekjet për të zgjidhur konfliktin midis SHBA-së dhe Iranit janë “në faza shumë progresive”.
Kështu u tha gazetarëve të martën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, duke shtuar se janë duke qarkulluar draftet e një marrëveshjeje të mundshme, raporton CNN.
Ai është përgjigjur edhe në pyetjet për deklaratat kontradiktore të lëshuara nga zyrtarët amerikanë dhe iranianë në lidhje me atë nëse negociatat janë duke u zhvilluar.
“Mund të konfirmojmë se përpjekjet janë ende duke vazhduar me të gjitha palët. Ne po shohim drejt një zgjidhjeje diplomatike ndërsa po flasim tani. Ka përpjekje aktuale në terren për të zgjidhur krizën që janë në “faza shumë progresive”, tha al-Ansari.
Ai ka shtuar se për këtë po punojnë vendet në të gjithë rajonin për të zgjidhur këtë çështje, duke shtuar se shteti i tij po koordinohet shumë ngushtë me Omanin për të lehtësuar bisedimet midis të dyja palëve dhe për të shkëmbyer ide dhe drafte.
“Draftet shkëmbehen gjithmonë… Mund t’ju them se është hartuar një gjuhë mbi një marrëveshje të mundshme dhe po qarkullon midis palëve”, tha ai.
Ai ka shtuar se shpresojnë që të dyja vendet të rikthehen në tryezën e bisedimeve.