Jo të gjithë e kanë të lehtë të krijojnë njohje të reja. Ndërsa disa miqësohen shpejt dhe komunikojnë pa hezitim me persona të panjohur, të tjerë përjetojnë ankth të fortë sa herë që duhet të përballen me situata të tilla.
Djersë të ftohta, belbëzim, vështirësi në të folur dhe ndjenja e humbjes së kontrollit janë disa nga shenjat që shoqërojnë ankthin social. Megjithatë, ekspertët theksojnë se kjo gjendje mund të menaxhohet përmes praktikës dhe ushtrimeve të vazhdueshme.
Mbani shënim emocionet
Një mënyrë e thjeshtë për të kuptuar më mirë veten është të mbani një fletore ku të shkruani ndjenjat dhe mendimet që ju lindin në momentet e vështira. Vetëvëzhgimi ndihmon në identifikimin e situatave që shkaktojnë ankth dhe krijon distancë nga ndjenjat e turpit apo pasigurisë.
Përballuni me frikën
Shmangia e situatave sociale vetëm sa e forcon ankthin. Përfshirja në biseda me njerëz të rinj, pjesëmarrja në diskutime dhe zgjerimi i rrethit shoqëror janë hapa që ndihmojnë në rritjen e vetëbesimit. Fillimisht mund të ushtroheni duke biseduar më shumë me miq dhe familjarë.
Filmoni veten
Regjistrimi i vetes gjatë një prezantimi ose bisede mund t’ju ndihmojë të dalloni pikat ku duhet të përmirësoheni. Më pas analizoni me kujdes mënyrën si komunikoni.
Kujdesuni për zërin
Flisni me ritëm të qetë, merrni frymë rregullisht dhe artikuloni qartë fjalët. Të folurit më ngadalë ndihmon në uljen e tensionit dhe rrit sigurinë gjatë komunikimit.
Mbani kontakt me sy
Kontakti viziv krijon besim dhe e bën komunikimin më të natyrshëm. Nëse ndiheni në siklet, përqendrohuni fillimisht te një person që ju bën të ndiheni rehat dhe gradualisht zgjeroni kontaktin me të tjerët.