Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka marrë pjesë në aktivitetin vetëdijësues të organizuar nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Vushtrri, i cili kishte për qëllim promovimin e shërbimeve shëndetësore paliative dhe informimin e qytetarëve për shërbimet që ofron kjo qendër.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Idrizi bëri të ditur se gjatë aktivitetit qytetarët patën mundësi të marrin këshilla nga profesionistët shëndetësorë, të matin tensionin arterial dhe nivelin e sheqerit në gjak, si dhe të informohen për rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe parandalimit të sëmundjeve.
Ai theksoi se edhe vetë iu nënshtrua kontrolleve shëndetësore, duke u bërë pjesë e aktivitetit.
Në fund, kryetari Idrizi shprehu mirënjohje për stafin shëndetësor për organizimin e këtij aktiviteti, të cilin e cilësoi si të dobishëm për qytetarët e Vushtrrisë.