Rashiti: Për mosfunkisonim të institucioneve përgjegjësinë kryesore e bart ai që i fiton zgjedhjet

Prishtinë | 07 Gus 2026 | 15:36 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti, thotë se Kosova ndodhet në situatë të rëndë kushtetuese, politike dhe çfarë do të ndodhë nuk dihet sepse kriza, sipas tij, bazohet në ego dhe ambicie të politikanëve.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Rashiti thotë se Lëvizja Vetëvendosje po kërkon që të ketë të gjitha institucionet, teksa Lidhja Demokratike e Kosovës po synon ndarjen e pushteteve, me qëllim që të ketë balancë.

Për Rashitin, LVV-ja bart përgjegjësinë më të madhe për mosfunksionimin e institucioneve, por përgjegjësi, sipas tij, kanë edhe partitë e tjera.

“Përgjegjësinë kryesore e bart ai që i fiton zgjedhjet”, thotë Rashiti.

Për çështjen e fundit, Rashiti mendon se kompromisi është i lehtë të arrihet, nëse ka vullnet, teksa mendon se kreu i ri i shtetit duhet të jetë dikush me përvojë institucionale dhe politike.

“Nuk duhet të jetë tërësisht jopolitik, presidenti duhet të ketë përvojë institucionale politike, sidomos institucionale”, thotë ai.

Ai parashikon që krizat politike dhe institucionale në Kosovë do të vazhdojnë.

Ky jostabilitet politik, ka bërë që Kosova të duket si shtet i dështuar në sytë e partnerëve, vlerëson Rashiti. Shtetet perëndimore, thotë ai, po presin që të ketë një ndryshim radikal të politkbërjes në mënyrë që të angazhohen me Kosovën.

Zoti Rashiti, pse udhëheqësi i LVV-së, Albin Kurti po e kushtëzon konstituimin e Kuvendit me një marrëveshje për presidentin, kur për zgjedhjen e presidentit ekziston një proces dhe afat i veçantë? Çfarë mendoni se po përpiqet të sigurojë politikisht?

Naim Rashiti: Duhet të kthemi pak mbrapa. E para është që para disa muajsh kishim një Parlament të konstituuar dhe krejt funksional, me një shumicë solide parlamentare për Qeverinë. Kishim Qeveri të mandatuar, të votuar dhe subjektet politike, me përgjegjësinë më të madhe LVV-ja, dështuan të zgjedhnin një president, i cili ka mundur të ishte një prej mijëra-mijëra njerëzve kredibilë të Kosovës për të siguruar funksionimin e institucioneve. Kjo sepse LVV-ja nuk ka arritur të bëjë kompromisin minimal me subjekte të tjera për të pasur një president. Vetëm një institucion, një figurë është dashur të zgjedhet. Kemi shkuar në zgjedhje dhe tani jemi në fazë ku nuk kemi Parlament, nuk kemi Qeveri, nuk kemi president. Dhe, gjërat janë të komplikuara. Nuk e di me çfarë logjike i është dukur dikujt që zgjedhjet e reja e thjeshtësojnë situatën. Zgjedhjet e reja e kanë komplikuar procesin. Ky është mësimi i parë nga krizat e kaluara.

Mësimi tjetër nga krizat e kaluara, nga zgjedhjet e shkurtit të vitit të kaluar, Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti nuk kanë dashur të kenë Qeveri vetëm me minoritetet joserbe. Edhe në këtë rast, pa një partner solid nuk mund të ketë një Qeveri stabile vetëm me minoritetet joserbe. Jo për shkak të numrave, por për shkak të politikave të mëdha, proceseve të mëdha të vështira nëpër të cilat Kosova po kalon, qoftë të qeverisjes, qoftë të agjendave të ndryshme. Dhe, për të krijuar një qeveri stabile i duhet një partner më i madh sesa vetëm komuniteti joshumicë. Këto janë mësimet e nxjerra.

Tani po pretendohet të negociohet për diçka shumë më shumë, më përmbajtësore për të siguruar funksionim më përmbajtësor të institucioneve po me qasje të njëjtë agresive, mungesë kompromisi, mungesë dialogu e kështu me radhë. E kemi thënë edhe vitin e kaluar, pa ndryshim përmbajtësor të qasjes së politikës, së pari nga LVV-ja, por edhe nga të tjerët, por fillimisht nga fituesja e zgjedhjeve, nuk do të ketë stabilitet politik dhe funksionim të mirëfilltë të institucioneve.

Çfarë mendoni se po përpiqet të sigurojë politikisht Kurti duke e shtyrë seancën konstituive?

Naim Rashiti: Nuk besoj që janë politikanët në Kosovë, që duken të mençur dhe të ditur, që kanë kalkuluar mirë në përfitime strategjike. Sidomos LVV-ja, por të gjithë janë treguar të mirë në beteja afatshkurtra ose kanë kalkuluar në betejat afatshkurtra, po të gjithë kanë dështuar në strategji afatgjate në politikëbërje, sepse nuk mund të jesh i suksesshëm, të pretendosh të jesh i suksesshëm nëse je në krizë të vazhdueshme institucionale, nëse përsëriten zgjedhjet dhe nëse gjithë agjenda e zhvillimit për vendin tënd, për çfarë ke marrë përgjegjësinë, ka dështuar.

Këto janë beteja, kalkulime dhe nëse e sheh në narracionin e tyre politik, gjithmonë është narracion afatshkurtër i betejave, po jo i ndonjë strategjie. Të gjithë janë humbës, po pak rëndësi ka kush është më humbës pak më shumë, të gjithë janë përgjegjës, dhe së pari duke filluar nga subjekti i cili ka fituar më së shumti, bart përgjegjësinë më të madhe për dështimin e vendit dhe dështimin e funksionimit të shtetit dhe institucioneve.

Nëse seanca konstituive nuk vazhdon dhe tejkalohet afati kushtetues, çfarë pasojash politike dhe institucionale mund të prodhojë kjo?

Naim Rashiti: Krizat e vazhdueshme institucionale kanë zgjidhur sadopak disa paqartësi ose shumëkuptimësi të interpretimeve kushtetuese, por në të njëjtën kohë edhe kanë krijuar zbrazëtira të reja. Për shembull, në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet qartë që Parlamenti duhet të konstituohet brenda 30 ditësh prej certifikimit të rezultateve. Po nëse ju kujtohet viti i kaluar, Gjykata Kushtetuese, tri herë i jep afate të reja Kuvendit për t’u konstituuar. Dhe, gjykoj në logjikën e njëjtë, nëse një çështje e tillë shkon në Gjykatë Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese do t’i japë sërish një afat disaditor, 30-ditor për të konstituuar Kuvendin. Sepse Gjykata Kushtetuese nuk ka zgjidhje tjetër, pa funksionim të Kuvendit, pa konstituim të Kuvendit, nuk ka asnjë proces tjetër vijues për formimin e Qeverisë dhe mbetemi peng i konstituimit të Kuvendit. Subjektet politike, në këtë rast LVV-ja, qëllimisht nuk hyn në këtë proces të konstituimit të Kuvendit.

Kjo ka ndodhur edhe në vitin 2014, kur Partia Demokratike e Kosovës e pati zvarritur këtë proces, por atëherë nuk kishim interpretime kushtetuese në çështjen e caktuar. Ka ndodhur edhe në vitin 2017 nga PAN-i, në mungesë të një marrëveshjeje politike. Do të thotë krizat institucionale nuk janë eliminuar ose politika i ka thelluar edhe më shumë krizat në vend se t’i thjeshtojë proceset për konstituimin dhe formimin e institucioneve. Thjesht, po futemi edhe në një cikël të ri të krizës kushtetuese, institucionale, politike. Më herët kemi pasur kriza politike, ndërsa dy vjetët e fundit kemi kriza të thella institucionale dhe kushtetuese të krijuara nga subjektet politike, me përgjegjësi të veçantë nga LVV-ja, cilat do ta dërmojnë edhe më shumë sistemin kushtetues, juridik, politik, institucional të këtij vendi.

Skenarët janë të panjohur, sepse krizat e bazuara në ego dhe ambiciet e politikanëve janë të vështira për t’u parashikuar apo edhe konsekuencat, dhe do të shohim një amulli edhe më të madhe, një situatë edhe më të rëndë kushtetuese politike për të cilën nuk mund t’i japim përgjigje në momentin e caktuar.

Shpresojmë që të ketë konstituim të Kuvendit sot, në afate të caktuara që t’i kthehet edhe Kosova dhe politika rendit kushtetues, por jam shumë pak optimist se do të ndodhë. Në fund të fundit, krizat në një mënyrë kushtetuese apo politike, do të vazhdojnë.

Sa reale është mundësia e një marrëveshjeje LVV–LDK, duke pasur parasysh se LDK-ja kërkon postin e presidentit, ndërsa Kurti flet për një kandidat jopartiak dhe konsensual? Ku mund të gjendet kompromisi?

Naim Rashiti: Kompromiset janë shumë lehtë të bëshme, qoftë në formimin e Qeverisë, qoftë në zgjedhjen e presidentit. Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur dhe kanë krijuar një shumicë relative, eventuale për funksionimin e Qeverisë. Presidenti është mbi palët. Nëse Lëvizja Vetëvendosje më tutje pretendon që të ketë nën kontroll presidentin, është shumë jopraktike. Sepse në sistemin kushtetues të Kosovës ka një qartësi të madhe të balancave të pushteteve e cila i përmbahet ndarjes së pushteteve. Dhe, LVV-ja po tregon ambiciet e saj për të kontrolluar gjithë sistemin institucional dhe politik në vend.

Në anën tjetër, parti të tjera, PDK, LDK, të mësuara nga praktikat e kaluara ku balanca e pushteteve është mbajtur përmes marrëveshjeve politike dhe ndarjes së pushteteve pretendojnë që të ketë pozitën e presidentit.

Ky është dështimi i narrativit i dy palëve, ku njëra do ta ketë presidentin përmes ndarjes së pushteteve, e tjera dëshiron t’i ketë të gjitha institucionet, përfshirë presidentin, për të kontrolluar gjithë sistemin politik të Kosovës dhe kjo është e papranueshme.

Edhe negociata në situata të fundit për emra të caktuar, kompromise për të kërkuar nivelin më të ulët të mundshëm të konsensusit, janë të papranueshme. Kosova ka nevojë për një Qeveri stabile me adresë të saktë përgjegjësish. Kosova ka nevojë për një president të mirëfilltë me integritet politik, institucional, i cili mbart përgjegjësi mbi përgjegjësitë e tij kushtetuese.

Kështu që nuk duhet të jenë negociatat për të akomoduar ego politike ose më shumë të themi qëllimet politike të njërës për të kontrolluar gjithë sistemin, e tjetrës për të ndarë pushtetin. Është në rregull nëse ka marrëveshje të mirëfilltë politike mes subjekteve për të siguruar funksionimin e plotë të institucioneve.

Nëse nuk ka marrëveshje politike, atëherë duhet që LVV të marrë përgjegjësitë e veta për çka ka fituar mandatin që të qeverisë dhe të lejojë gjithë spektrin parlamentar të propozojë një kandidat të mirëfilltë për president, për të ruajtur integritetin e sistemit, pozitës, përfshirë edhe ruajtjen e balancave të pushtetit.

Kjo ka ndodhur në Shqipëri disa herë. Ka praktikat më të mira gjithandej që të sigurohet funksionimi i mirëfilltë i sistemit institucional.

Por, edhe njëherë kjo nuk po ndodh sepse qasjet politike fillimisht të LVV-së dhe të tjerave janë shumë egocentrike dhe të cilat nuk po shprehin asnjë pikë vullneti për t’u kujdesur për funksionimin e jetës politike, institucionale të vendit.

Kur po flisni për një kandidat nga të gjitha partitë parlamentare, e keni në mendje për një figurë jopolitike?

Naim Rashiti: Pavarësisht. Shikoni është në Shqipëri subjekti fitues i zgjedhjeve ka pranuar një kandidat të opozitës. Ka qenë Rexhep Mejdani, ka qenë Alfred Mojsiu, ka qenë Bamir Topi e kështu me radhë.

Nuk duhet të jetë tërësisht jopolitik, presidenti duhet të ketë përvojë institucionale politike, sidomos institucionale. Duhet të jetë një figurë me kredibilitet institucional, përvojë, sepse presidenti ka përgjegjësi shumë të mëdha kushtetuese. Nuk mund të jetë një figurë që e marrim nga rruga. Por, duhet të jetë një figurë që ka përvojë, kredibilitet, i cili mund t’i bëjë ballë agjendave, qoftë politike, kushtetuese e institucionale. Praktika të ndryshme të mira ka gjithandej. Nuk ka vullnet politik për të bërë. Ambiciet janë të mëdha për të kontrolluar gjithçka nga njëra palë, dhe nga tjera për të ndarë pushtetin.

A është Vjosa Osmani ende një opsion real për presidente?

Naim Rashiti: Nuk e besoj. Është bërë e qartë nga dështimi i herës së kaluar dhe nuk besoj se do të kthehemi aty. Këtë e kam thënë që vitin e kaluar sepse presidenti në situata të Kosovës ka përfunduar si pjesë e negociatave politike, e kompromiseve politike dhe për faktin që nuk është vazhduar mandati i saj, mbështetja për të, nuk e besoj.

Por, pak rëndësi kanë emrat e përveçëm. E rëndësishme është, qoftë marrëveshje politike gjithëpërfshirëse mes partnerëve që sigurojnë funksionim të plotë, me votë, të Qeverisë. Kemi pasur edhe në të kaluarën PDK-LDK dhe minoritetet, kanë pasur 89 ulëse, kanë ndarë pozitat dhe ka funksionuar Qeveria dhe sistemi institucional, qoftë përmes pajtimit që një subjekt fitues e qeverisë vendin, dhe lejon që presidenti të ofrohet nga opozita si kandidatura të mundshme, qoftë politike, qoftë jopolitike, varësisht nga negociatat.

PDK-ja dhe AAK-ja kanë deklaruar se do të qëndrojnë në opozitë, megjithëse Kurti vazhdon t’i ftojë në bisedime. A mund të zgjidhet kjo krizë vetëm me një marrëveshje LVV–LDK, apo nevojitet një konsensus më i gjerë politik?

Naim Rashiti: Negociatat LVV-LDK janë negociata për marrëveshje politike për ndarjes së pushtetit. Janë negociata klasike të ndarjes së pushtet, që përfshijnë pjesëmarrjen e LDK-së në qeverisje, e cila kërkon një prej pozitave kryesore, atë të presidentit.

Tani aty ka mospajtime, që tregon sa të vështirë dhe sa pa kompromis dhe sa papërgjegjshëm janë politika sepse negociatat janë për ndarje të pushtetit, po negociohet për aranzhime. Negociatat me PDK-në dhe Aleancën do të ishin ndryshe, do të ishin për të siguruar mbështetje për një president konsensual. Në momentin që diskuton me opozitën ose shpreh dëshirë të diskutosh me opozitën për presidentin, i cili është mbi palët dhe mbi numrat e votave të Qeverisë, atëherë duhet të pranosh që presidenti më nuk vjen nga LVV-ja, po vjen nga propozimet e subjekteve të tjera. Ndryshe, nuk do të ketë marrëveshje.

A është Kosova në një krizë më të thellë sesa para zgjedhjeve të qershorit?

Naim Rashiti: Para disa muajsh ka qenë shumë e lehtë ruajtja e funksionimit të institucioneve. Me një Parlament funksional, Qeveri funksionale vetëm se kanë dështuar subjektet politike, kanë dështuar të bëjnë minimumin e minimumit të mundshëm të zgjedhin një president përfaqësues, për të gjitha palët. Tani nuk i kemi asnjërin prej institucioneve. Tani jemi në krizë edhe më të thellë.

Përsëritja e zgjedhjeve na ka dërguar në kriza edhe më të thella. Dhe, përgjegjësinë duhet ta marrin e para, LVV-ja, e cila herën e tretë apo të katërt e çon në vendin e zgjedhjeve, pastaj edhe të tjerat. Po, tash probabiliteti i shkuarjes në krizë të thellë dhe në zgjedhje është më i madh tani sesa para disa muajsh.

Bashkësia ndërkombëtare po kërkon formimin sa më të shpejtë të institucioneve. Sa ndikim real kanë këto thirrje mbi partitë politike në këtë fazë?

Naim Rashiti: Fatkeqësisht nuk ka ndikim. Por, politikës kosovare, shoqërisë kosovare duhet t’u bëhet me dije që, t’u përsëritet që në vendet me konfliktet më të mëdha politike, institucionale, etnike si Bosnja, për shembull, arrijnë të formojnë Qeveri për shtetin e Bosnjës. Paramendoni kroatët, serbët, boshnjakët ulen dhe krijojnë një formulë për të krijuar Qeveri funksionale. Në vendet që kanë ndasi më të mëdha, që kanë arsye për të pasur ndasi më të mëdha, në një sistem politik të SHBA-së, prapë Trumpi arrin të negociojë me opozitën, qoftë për buxhetin, qoftë për çështje të tjera për të parandaluar bllokimin e sistemit, të buxhetit e kështu me radhë. E në Kosovë në politikën tone kryesisht e mbejllë këto vitet e fundit, nuk arrin të bëjë minimumin e minimumit që të zgjedhë një president, të pajtohet për një ndarje të pushtetit minimal, që të ruajë kredibilitetin, integritetin e institucioneve e kështu me radhë. Ky është paradoksi më i madh dhe kjo është habia më e madhe ndërkombëtare, e gjithë miqve të Kosovës, me sistemin politik të Kosovës.

Kosova i ka të gjitha parametrat, me një sistem proporcional, me një Kushtetutë moderne që të jetë shumë funksionale, me përfaqësim minimal etnik, i cili asnjëherë nuk bllokon funksionimin e institucioneve. Por, fakti është që shqiptarët ose partitë politike që pretendojnë që përfaqësojnë shqiptarët janë bllokuesit më të mëdhenj të sistemit politik, institucional, kushtetues dhe ky është dëshpërimi më i madh ndërkombëtar dhe i miqve të Kosovës. Sa po i kushton Kosovës kjo krizë në raport me partnerët ndërkombëtarë, agjendën evropiane dhe aftësinë e vendit për të marrë vendime të rëndësishme?

Naim Rashiti: Askush sot në BE, në Londër, në Uashington, në Paris, kudo, nuk beson që Kosova mund të jetë shtet funksional, që të ketë sistem funksional. Askush nuk beson se Kosova mund të bëhet një Republikë e vërtetë, që funksionon dhe ka ambicie për zhvillim dhe integrim në organizatat ndërkombëtare.

I gjithë narracioni ndërkombëtar i Kosovës është pothuajse, por nuk e thonë, por thuajse është në kahe të një shteti të dështuar. Dhe kjo është falë kësaj politike që kemi sot, nga vitet 2017 e tutje, pra sidomos prej 2020 e tutje dhe sidomos këto viteve të fundit. Kjo për shkak të konstruktit të shtetit që do të duhej të ishte shumë e lehtë të qeverisej. Habia ndërkombëtare është shumë e madhe dhe të gjithë do të jenë në pritje dhe do të presin të gjithë që të ketë një ndryshim radikal të politikëbërjes në Kosovë, në mënyrë që të angazhohen me Kosovën. Të gjitha vendet janë në pritje të një ndryshimi radikal të qasjes, së politikës dhe institucioneve për të rifilluar ose rindërtuar gradualisht mbështetjen për Kosovën.

Kosova është duke dështuar në të gjithë agjendën ndërkombëtare të integrimit, të thithjes së fondeve të BE-së, të qasjes ose përafrimit në BE-në, është duke u dërmuar brenda ekonomia dhe klasa e mesme e saj dhe Kosova do të përfundojë me një buxhet i cili do të jetë mbijetues për klasën e ulët, përmes asistencës sociale të Qeverisë. Efektet nuk janë vërejtur që para disa vitesh, vërehen tash më shumë, por do të vërehen në vitet një, dy, tre që do të vijnë, do të vërehen edhe shumë më shumë.

Si dhe kush do ta bëjë këtë ndryshim të qasjes që, sipas jush, po e presin vendet?

Naim Rashiti: Politika do ta bëjë. Por, kjo politikë bën një politikë tjetër. Nëse vazhdojmë kështu me këtë qasje politike, jam i bindur që pas tri-katër vjetësh do të përfundojmë në rrugë. Do të ketë mospajtim shoqëror. Përndryshe nuk do të ketë shpëtim. Nëse politika nuk ndërron, nëse politika ruan këtë qasje ndaj shtetësisë, funksionimit të institucioneve, e cila do ta degradojë gjithnjë e më shumë jetën politike, institucionale të vendit dhe zhvillimin, sigurisht se kjo shoqëri, sikur në vende të tjera, do të përfundojë në rrugë.

Para asaj ka gjasë që të ketë një rimkëmbje politike, një rikëndellje politike nëse ka ndryshim radikal qoftë të elitave, qoftë të vetë atyre që janë aktualisht që të ketë një qasje që edhe mund të ndodhë edhe pse të gjithë miqtë e Kosovës nuk besojnë se do të ndodhë. Po, Kosova edhe në të kaluarën ka ditur të gjenerojë figura dhe elita dhe lëvizje politike që do këndellnin, do ta ndryshonin narracionin.

Tani është më e vështirë për shkak të migrimit masiv të shoqërisë kosovare, po bëhet gjithnjë më e vështirë. Por që Kosova i ka dy zgjidhje. Ose të rimëkëmbet, të këndellet politikisht, që do të ketë ndikim të madh edhe në jetën institucionale dhe në zhvillim, ose do të përfundojë me protesta masive në rrugë pas disa vitesh.

Nëse në fund nuk ka marrëveshje dhe Kosova shkon sërish në zgjedhje, kush humb më shumë politikisht – dhe a ka arsye të besohet se zgjedhjet e reja do të prodhonin një rezultat që do të zgjidhte bllokadën e tanishme?

Naim Rashiti: Le të shpresojmë që ende ka hapësirë për zgjidhje, për marrëveshje politike dhe për konstituimin e institucioneve. Në narracionin popullor, në votë, në elektorat është vështirë ta themi kush do dënohet më shumë e kush më pak, sepse të gjithë mekanizmat për manipulimin e tij janë në dispozicion qoftë nga Qeveria, LVV-ja, dhe në kohën moderne të rrjeteve sociale, narracioni elektoral publik është bërë i pakontrollueshëm jo vetëm në Kosovë, gjithandej dhe nuk mund të parashikosh rezultatet zgjedhore më si në të kaluarën.

Po kjo ka pak rëndësi kush e paguan çmimin më shumë. Në përmbajtje politike, duhet ta themi qartë që LVV-ja bart përgjegjësinë më të madhe në këto dy vjet për mosfunksionimin e institucioneve. Por edhe të tjerat, me qëndrimet e tyre të vjetra, por përgjegjësinë kryesore e bart ai që i fiton zgjedhjet. Kjo ka ndodhur në vitin 2014, i kemi thënë PDK-së, përgjegjësinë për funksionimin e marrëveshjeve politike e ka ajo, ka ndodhur dhe më 2017.

Pa qenë i përgjegjshëm fituesi i zgjedhjeve nuk mund të kërkosh përgjegjësi te subjektet e tjera. Dhe, në rastin më të keq, uroj që mos të shkojmë dhe po shpresoj se ende ka hapësirë për të pasur funksionim të institucioneve, por në rastin më të keq nëse shkojmë në zgjedhje, pa llogaritur se kush do të përfitojë e kush do të pësojë, dëmi do të jetë edhe shumë më i madh, edhe përgjegjësia për LVV-në, e pastaj për zgjedhjet, nuk minohet por rritet. Dhe kjo duhet të kuptohet në aspektin e politikëbërjes, e pastaj si përkthehet në elektorat pak rëndësi ka.

Të ngjashme