Vrau xhaxhain duke e përplasur me makinë, influenceri dënohet me 10 vjet burgim

Prishtinë | 09 Gus 2026 | 19:58 | Nga Ekonomia Online

Një influencer 24-vjeçar në Florida është dënuar me 10 vjet burg, pasi pranoi fajësinë për vrasjen e xhaxhait të tij, Scott Grebler, duke e përplasur me një Jeep për një palmë.

Jordan Aronson po qëndronte në shtëpinë e xhaxhait të tij, një filantrop milioner dhe një nga themeluesit e organizatës jofitimprurëse “13 Ugly Men”, kur ndodhi incidenti në qershor të vitit 2023.

Pamjet e kamerave të sigurisë treguan se Aronson u largua me makinë nga oborri dhe më pas u kthye me shpejtësi, duke e goditur Greblerin dhe duke e përplasur trupin e tij për një palmë. 59-vjeçari pësoi lëndime të rënda në kokë dhe tru, u vendos në ventilator dhe vdiq disa ditë më vonë, shkruan Metro.

Aronson fillimisht ishte deklaruar i pafajshëm për vrasje të shkallës së dytë. Ai pretendoi se xhaxhai i tij, i cili vuante nga Parkinsoni dhe kishte probleme shëndetësore, ishte bërë agresiv dhe po e sulmonte.

Megjithatë, disa prej pretendimeve të tij u kundërshtuan nga pamjet e kamerave të sigurisë. Pas një procesi të gjatë, prokuroria dhe mbrojtja arritën marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Përveç 10 viteve burg, Aronson do të vuajë edhe pesë vite në mbikëqyrje, do të kryejë 50 orë shërbim në komunitet dhe një kurs për menaxhimin e zemërimit.

Familja e viktimës kishte kërkuar që ndaj tij të mos ngriheshin akuza penale, por autoritetet thanë se ai duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij.

Të ngjashme