Tajfuni “Dolphin” godet Kinën, evakuim masiv i banorëve

Prishtinë | 10 Gus 2026 | 07:39 | Nga Ekonomia Online

Mbi një milion persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në lindje të Kinës, përfshirë edhe Shangain, pasi tajfuni “Dolphin” ka goditur vendin.

Tajfuni ka arritur shpejtësi maksimale të erës prej 150 kilometrash në orë kur goditi për herë të parë qytetin Yuhuan, në provincën Zhejiang, rreth orës 17:30 sipas kohës lokale.

Rreth një orë më vonë, ai preku tokën për herë të dytë pranë qytetit Wenzhou, njoftuan autoritetet meteorologjike, shkruan BBC.

Stuhia ka shkaktuar ndërprerje të mëdha të transportit në rajon. Vetëm në Shangai janë anuluar rreth 1,400 fluturime, ndërsa autoritetet kanë marrë masa të shumta për mbrojtjen e banorëve.

Autoritetet kineze kishin lëshuar më herët alarmin e kuq, nivelin më të lartë të paralajmërimit për tajfunin “Dolphin”. Megjithatë, të hënën në mëngjes, ai u ul në nivelin e stuhisë tropikale.

Tajfuni tashmë po lëviz drejt brendësisë së territorit të Kinës, por autoritetet vazhdojnë të paralajmërojnë për reshje të dendura, përmbytje të mëdha dhe rrezik nga rrëshqitjet e dheut deri të mërkurën.

Reshje të fuqishme priten gjatë së hënës në provincat Shandong, Henan, Hubei, Anhui, Jiangsu dhe Zhejiang, si dhe në qytetin e Shangait.

Të ngjashme