Komuna e Prishtinës ka nisur procesin e bashkëhartimit të Planit të Veprimit për Qeverisje të Hapur 2026–2029, në kuadër të iniciativës OGP Local.
Sipas njoftimit të Komunës, takimi i parë me organizatat e shoqërisë civile shënoi nisjen zyrtare të këtij procesi, ku u diskutuan rezultatet dhe mësimet e nxjerra nga zbatimi i planit për periudhën 2024–2025.
“Gjatë takimit u prezantuan rezultatet dhe mësimet nga zbatimi i planit 2024–2025, metodologjia për hartimin e planit të ri, si dhe mundësitë për përfshirjen e organizatave të shoqërisë civile dhe akterëve të tjerë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Diskutimet u përqendruan në disa prej fushave kryesore të qeverisjes së hapur, përfshirë transparencën, llogaridhënien, pjesëmarrjen e qytetarëve dhe qeverisjen digjitale.
“Diskutimet u përqendruan në transparencën, llogaridhënien, pjesëmarrjen e qytetarëve dhe qeverisjen digjitale”, thuhet më tej në njoftim.
Në takim është diskutuar edhe krijimi i Forumit Shumëpalësh për Qeverisje të Hapur, i cili synohet të shërbejë si mekanizëm konsultativ përgjatë gjithë procesit të hartimit dhe zbatimit të planit.
“Po ashtu, u diskutua krijimi i Forumit Shumëpalësh për Qeverisje të Hapur, i cili do të shërbejë si mekanizëm konsultativ gjatë hartimit, monitorimit dhe vlerësimit të zbatimit të planit”, njoftoi Komuna.
Ndërkohë, Komuna ka bërë të ditur se hapat e ardhshëm përfshijnë formalizimin e Forumit, zhvillimin e një ankete online, organizimin e një punëtorie për bashkëkrijimin e zotimeve, si dhe vazhdimin e konsultimeve me palët e interesuara.
“Hapat e ardhshëm përfshijnë formalizimin e Forumit, zhvillimin e një ankete online, organizimin e një punëtorie për bashkëkrijimin e zotimeve dhe vazhdimin e konsultimeve. Plani pritet të finalizohet dhe të prezantohet në muajin nëntor”, thuhet në njoftim.
Procesi i hartimit të planit mbështetet nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Evropës, përmes projektit “Forcimi i qeverisjes shumënivelëshe dhe demokracisë pjesëmarrëse”.