Antero Lopes, drejtues i lartë ndërkombëtar nga Portugalia, më 10 gusht 2026 ka marrë detyrën e Shefit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Lopes ka thënë se ndihet i nderuar që do të udhëheqë misionin evropian, duke theksuar rolin e EULEX-it si partner i institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë.
“Jam i nderuar që po marr detyrën e Shefit të EULEX-it dhe që do të udhëheq një Mision i cili, për shumë vite, ka shërbyer si partner i besueshëm dhe i paanshëm i institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë. Ekipi i larmishëm dhe profesional i EULEX-it vazhdon të jetë i përkushtuar fuqishëm për mbështetjen e një sektori të sundimit të ligjit të përgjegjshëm dhe të pavarur, i cili është thelbësor për qeverisjen demokratike, sigurinë juridike, besimin e publikut dhe stabilitetin afatgjatë, në dobi të gjitha komuniteteve në Kosovë”, tha Lopes.
Ai ka bërë të ditur se gjatë mandatit të tij do të synojë bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Kosovës, partnerët e Bashkimit Evropian dhe komunitetin ndërkombëtar.
“Duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet e Kosovës, partnerët e Bashkimit Evropian dhe komunitetin e gjerë ndërkombëtar, jam i përkushtuar të siguroj që Misioni të vazhdojë të ofrojë këshillim strategjik, monitorim dhe mbështetje operative në përputhje me mandatin e tij, duke promovuar njëkohësisht qëndrueshmërinë institucionale, profesionalizmin, integritetin, respektimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, si dhe barazinë gjinore”, deklaroi ai.
Lopes ka theksuar se një sistem i pavarur dhe i paanshëm i sundimit të ligjit është i rëndësishëm për funksionimin e institucioneve demokratike dhe perspektivën evropiane të Kosovës.
“Një sistem i sundimit të ligjit që është i pavarur, i paanshëm dhe i lirë nga ndikimi i papërshtatshëm politik është i domosdoshëm për mbrojtjen e institucioneve demokratike dhe avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës”, tha ai.
Shefi i ri i EULEX-it ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar drejtpërdrejt me institucionet dhe homologët në Kosovë, me synim arritjen e rezultateve konkrete.
“Pres me kënaqësi të angazhohem nga afër me homologët tanë, t’i dëgjoj prioritetet e tyre dhe të punojmë së bashku për të arritur përparim konkret dhe të qëndrueshëm, i cili do ta forcojë më tej sundimin e ligjit dhe do të kontribuojë gjithashtu në stabilitetin dhe sigurinë rajonale”, përfundoi Lopes.
Sipas EULEX-it, Lopes sjell me vete 40 vjet përvojë kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë pothuajse tri dekada në funksione të larta udhëheqëse në kuadër të Kombeve të Bashkuara.
Ai ka shërbyer për rreth gjashtë vjet në Kosovë dhe, sipas Misionit, e njeh mirë kontekstin e vendit. Përvoja e tij përfshin diplomacinë, sundimin e ligjit, qeverisjen e sektorit të sigurisë, menaxhimin e krizave, ndërmjetësimin dhe reformat institucionale.
Mandati i Lopes do të zgjasë deri më 14 qershor 2027. Ai pason Giovanni Pietro Barbanon, gjeneralmajor italian i Karabinierisë Italiane, i cili përfundoi mandatin si Shef i EULEX-it në qershor 2026.
EULEX-i është themeluar në vitin 2008 si misioni më i madh civil në kuadër të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP) të Bashkimit Evropian.
Në qershor 2025, Këshilli i Bashkimit Evropian e zgjati mandatin e EULEX-it deri më 14 qershor 2027, në bazë të Vendimit (CFSP) 2025/1161.