Presidenti amerikan, Donald Trump ka vendosur një kusht të ri në bisedimet me Iranin.
Ai ka thënë se tani do të kërkojë kompensim nga Teherani për vrasjet e kryera, kjo si kundërpërgjigje ndaj Iranit që gjatë fundjavës ka dalë me kërkesë për SHBA-në që të kompensojë dëmet, si kusht për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Këto deklarata, Trump i ka bërë në një shkrim në rrjetin social Truth.
“Shoh që Përfaqësuesit e Republikës Islamike të Iranit po kërkojnë kompensim për dëmin e shkaktuar gjatë Konfliktit Ushtarak pesëmujor të fundit (i filluar sepse, ATA NUK DO TË KENË ARMË BËRTHAMORE), edhe pse nuk u përmend kurrë në asnjë nga negociatat apo takimet tona! Por është një ide interesante sepse tani po kërkoj gjithashtu kompensim nga Irani, për të gjithë njerëzit që ata kanë vrarë dhe plagosur rëndë me bombat e tyre në rrugë dhe shumë konflikte, për të cilat ata janë të famshëm, siç u udhëhoqën fillimisht nga Gjenerali Soleimani, duke përfshirë familjet e atyre që u vranë në USS Cole dhe mijëra të tjerë të vrarë në luftime.”, ka shkruar Trump.
Përveç kësaj, presidenti i SHBA-së, ka thënë se kompensimi duhet t’u paguhet familjeve të qindra mijëra protestuesve të pafajshëm që sipas tij, Irani ka vrarë gjatë 50 viteve të fundit, për të mos përmendur 52,000 që janë vrarë në pesë muajt e fundit.
“I kam udhëzuar përfaqësuesit e mi që ta përfshijnë këtë në çdo negociatë të ardhshme. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, ka shkruar ai.