Flakët përfshijnë mbi 20 mijë hektarë në Huelva të Spanjës, evakuohen 800 persona

Prishtinë | 10 Gus 2026 | 19:19 | Nga Ekonomia Online

Një zjarr i përmasave të mëdha vijon të përhapet në provincën e Huelvës, në jugperëndim të Spanjës, duke detyruar rreth 800 persona të evakuohen nga banesat e tyre.

Sipas gazetës spanjolle El País, zjarri, i cili shpërtheu të enjten në zonën e Niebla-s, ka prekur tashmë një sipërfaqe prej më shumë se 20 mijë hektarësh. Autoritetet sqarojnë se kjo shifër i referohet sipërfaqes brenda perimetrit të zjarrit dhe nuk do të thotë se e gjithë zona është djegur.

Rreth 600 zjarrfikës, të mbështetur nga 26 mjete ajrore dhe mjete të tjera tokësore, po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve. Operacioni është vështirësuar nga erërat e forta, terreni i thyer dhe kushtet atmosferike, të cilat favorizojnë përhapjen e zjarrit dhe krijimin e vatrave të reja.

Antonio Sanz, këshilltar i qeverisë së Andaluzisë për Presidencën, Shëndetësinë dhe Emergjencat, e ka cilësuar situatën si jashtëzakonisht të vështirë dhe të rrezikshme.

“Përballemi me një zjarr jashtëzakonisht të vështirë, kompleks dhe të rrezikshëm, me kushte atmosferike që nuk na lënë hapësirë për pushim. Kjo është një garë qëndrueshmërie, plot pengesa”, tha Sanz.

Ai paralajmëroi se ndërhyrja për shuarjen e zjarrit mund të zgjasë edhe disa ditë.

“Duhet të jemi realistë: asgjë nuk tregon se zjarri do të vihet nën kontroll së shpejti. Na kanë mbetur ende orë, ndoshta ditë, punë intensive”, deklaroi ai.

Zjarrfikësit kanë punuar gjatë natës për krijimin e linjave mbrojtëse dhe për frenimin e përhapjes së flakëve. Megjithatë, terreni i vështirë dhe ndryshimet e erës kanë penguar përparimin e operacioneve.

Në kuadër të përpjekjeve për të frenuar zjarrin, ekipet e emergjencave po përdorin edhe teknika të kontrolluara të djegies për krijimin e barrierave kundër flakëve.

Ndërkohë, rreth 300 banorë të El Madroño-s janë evakuuar, duke e çuar në rreth 800 numrin e përgjithshëm të personave që janë detyruar të largohen nga banesat për shkak të zjarrit. Evakuimet janë kryer si masë parandaluese për shkak të rrezikut nga përhapja e flakëve.

Autoritetet kanë paralajmëruar se banorët e evakuuar nuk duhet të kthehen në zonat e prekura pa marrë leje, ndërsa vijojnë përpjekjet për të frenuar zjarrin.

Situata në Huelva mbetet e vështirë, ndërsa ekipet e emergjencave pritet të vijojnë punën intensive gjatë ditëve në vazhdim për ta vënë zjarrin nën kontroll. /Panorama

Të ngjashme